Vladimir Putini dhe të tjerët. Nga Erdogani tek Xi Jinpingu, nga regjimi iranian tek ai egjiptian. Të gjithë i bashkon frika nga interneti. Udhëheqës të ndryshëm, sisteme politikë të dallueshëm mes tyre, por të gjithë të angazhuar për “të rifutur xhindin në shishe”, për të ngritur Mure të rinj Berlini, me roje, kabllo të prerë, postblloqe, rrezikun e pushkatimit jo vetëm virtual. Erdogani ka luftuar kundër “rebelëve përmes Twitterit” dhe në fund ka fituar, për momentin: pavarësisht indinjatës së shoqërisë civile më të zhvilluar, shumica e zgjëdhësve turq e kanë shpërblyer. Para tij, udhëheqësit kinezë kishin fituar betejën e gjatë me Google, duke detyruar gjigandin kalifornian që të ofronte një motorr kërkimi “të vetëçensuruar” në gjuhën mandarine. Dhe duke qenë se pjesa më e madhe e kinezëve përdorin faqe dhe rrjete socialë autoktonë, Muri i Madh i Zjarrit (siç e quajnë disidentët) konfiguron një lloj intraneti gjigant, domethënë një prej atyre rrjeteve jo krejtësisht të hapur, që shërbejnë për të komunikuar vetëm për ata që janë në brendësi të tij.

Lexo po ashtu:  Letra e Naum Veqilharxhit patriotëve

Eshtë modeli i disa sistemeve të kompanive “të siguruara”, ai që pas Kinës duan të ndërtojnë Irani, Egjipti. Putini ka qenë një pararendës, kultura e tij e KGB-së e ka bërë super të ndjeshëm ndaj sfidave teknologjike. Shtrëngimi i fundit i Moskës ka goditur Gmailin, Skypen dhe shërbime të tjerë të postës elektronike dhe mesazherisë: rrezikojnë të bllokohen nga autoritetet ruse, nëse refuzojnë të ruajnë të dhënat e përdoruesve të tyre në servera në brendësi të territorit të Federatës. “Paketa e re e ligjeve antiterrorizëm” barazon blogger-at me të paktën 3000 përdorues të përditshëm, me masmedian, duke i futur në një regjistër special. Mes viktimave, më i famshmi është Pavel Durov, krijues i rrjetit social rus Vkontakte, i detyruar që ta mbyllë faqen me këtë mesazh trishtues: “Rusia është e papajtueshme me internetin”.

Interneti dhe rrjetet socialë janë fushëbeteja e re botërore, ku kundërvihen impulset autoritarë dhe rastet e lirisë që vijnë prej shoqërisë civile. Kontrollimi i Twitterit apo Facebookut bëhen të rëndësishëm kur censurohen shtypi dhe televizionet. Rrjetet socialë, duke qenë interaktivë, jo hierarkikë, lejojnë në vetvete një pjesëmarrje të gjerë që vë në alarm autokratët. Pastaj ka edhe një aspekt breznor dhe kulturor: nomenklaturat e regjimeve autoritarë nuk janë rritur në Facebook. Ashtu si çdo gjë që të pushtetshmit nuk e kuptojnë dhe nuk e zotërojnë përsosmërisht, rrjetet socialë rrisin edhe më shumë dyshimet.

Lexo po ashtu:  Covid-19, gozhda e fundit në arkmortin e gloalizmit? - Shpresa përtej perdes së ankthit pambarim

Lufta e të pushtetshmëve kundër internetit është e ndërlikuar prej ndërhyrjeve gjeostrategjike. Këtu hyn në terren Amerika e Obamës. Nga njëra anë mbështet “përhapjen çliruese” të rrjeteve socialë, deri në pikën e financimit të mikrorrjeteve të ngritur për disidentët në botën arabe (rrjetet mesh, me rreze të shkurtër dhe më të vetërregullueshëm përballë censurës dhe kontrollit autoritar).

Nga ana tjetër, me skandalin e Datagate SHBA kanë zbuluar një nivel ndërfutjeje të paprecedentë në internet. Kanë ofruar një arsenal justifikimesh – siguri, sovranitet, nacionalizëm – për të gjithë autokratët. Këtë shpjegon Laura DeNardis, autore e “Lufta globale për qeverisjen e internetit”. Në një përballje mes ekspertëve në Shkollën e Cështjeve Publike Ndërkombëtare, përballë anëtarëve të administratave Bush dhe Obama që kanë ndjekur negociatat ndërkombëtare për këto tema, DeNardis thotë se “interneti është terreni i ri i një konflikti botëror, për të vendosur kush e kontrollon aksesin në burimet strategjikë, pikësëpari informacionin”.

Që nga lindja e tij, Interneti nuk është një “preri e egër”, por një hapësirë e rregulluar nga organizma teknikë, grupe privatë, edhe qeveri. Por me një vulë dominuese të SHBA. Pas zbulimeve të Snoudenit mbi shtrirjen e veprimtarisë së spiunazhit të NSA-së, konsensusi ndërkombëtar mbi qeverisjen e internetit është dobësuar. Edhe vende demokratikë si Gjermania dhe Brazili kanë ngritur problemet e sovranitetit. Për regjimet autoritarë, denoncimi i saj ka qenë i shumëpritur. Që tani, sipas Eli Noam i Shkollës së Cështjeve Publike Ndërkombëtare “është anakronike të flasësh për internetin në numrin njëjës, ndërkohë që jemi para shfaqjes së rrjeteve në numrin shumës, një ballkanizim i mjerueshëm, por ndoshta i pandalshëm”.

Lexo po ashtu:  Nëna Terezë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *