Dale, moj, se kam një fjalë
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.
Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.
E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç’u mundova kot.
Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u përlot.
Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.
Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot. /MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress