A e ke thënë ndonjëherë diçka, për cilën më vonë jeni penduar dhe keni dashur të mos e kishit thënë kurrë? Ndodh shpesh, apo jo? Sa herë që ne jemi të inatosur, nxitohemi në gjërat që themi, por kjo gjë mund të na bëjë t’i humbasim personat më të rëndësishëm të jetës sonë dhe të pendohemi për gjithë jetën për fjalët që kemi thënë. Është e lehtë t’i thuash fjalët, por tepër e vështirë të përballosh pasojat e fjalëve të pamenduara mirë në momentin që shprehen.

Ndaj, unë ju sugjeroj të mos reagoni asnjëherë, kur ndiheni të inatosur, sepse një moment durimi në një moment inati, ju shpëton nga 100 momente pendimi të mëvonshme. Kjo gjë është paksa e vështirë, sepse të gjithë ne duam të reagojmë në momentet tona të inatit, por unë gjithashtu dua t’ju sugjeroj një mënyrë se si të tregoni durim gjatë inatit tuaj.

Së pari, mendoni nëse ato që do të thoni janë të vërteta, apo të bazuara në mendimet tuaja subjektive. Nuk është mirë të jepni opinione subjektive në inat, sepse do të pendoheni më vonë për ashpërsinë e fjalëve tuaja. Ndaj, kur flisni teksa jeni të inatosur, çdo gjë që shprehni, duhet ta keni të bazuar në fakte.

Lexo po ashtu:  Si të dallojmë koronavirusin nga gripi i zakonshëm? Dhe përgjigjet e disa pikëpyetjeve të tjera…

Së dyti, duhet të mendoni nëse ajo që do të thoni do t’i shërbejë situatës suaj, apo jo. Është e kotë të jepni argumenta, të cilat mundet të mos ndihmojnë në situatën në të cilën gjendeni, madje të ndikojnë duke e përkeqësuar atë situatë. Nuk duhet kurrsesi ta zbrazni inatin tuaj mbi dikë që nuk ju ka faj, duke e bërë atë të ndjehet keq, sepse kështu ju mund ta humbni përgjithmonë atë person dhe keni për t’u penduar gjatë.

Së treti, a është frymëzuese ajo që do të thuash? A do të ndryshojë personi përballë nga fjalët e tua? A do të ndihen ata më mirë duke ndjerë nevojën për të ndryshuar, me qëllim që jo vetëm ty, po të mos i lëndojnë as të tjerët? Pyete veten për këtë gjë, gjithmonë përpara se t’i kesh fjalët në inat e sipër.

Së katërti, mendoni nëse ajo që do të thoni është apo jo e nevojshme. Është e kotë të thoni diçka, të cilën e keni përmendur edhe më parë, apo që të tjerët mund t’ia kenë thënë personit që ju do t’ia thoni. Është e kotë edhe të thoni diçka, të cilën ai person e di dhe po përpiqet ta ndryshojë, pasi kështu ia vini akoma më tepër në dukje duke e bërë të ndihet keq.

Lexo po ashtu:  Si ta nisni ditën sa më mbarë?

Së fundmi, mendo se si do të ndiheshe ti, nëse dikush do të thoshte ato fjalë që ti po mendon të thuash. Do të ndiheshe keq apo jo? Sepse normalisht janë fjalë të rënda. Ndaj, drejtoje fillimisht drejt vetes diçka për të parë edhe se si do të ndihet dikush tjetër. Mos u nxito në fjalët që thua, pasi një plumb vërtet mund të bëjë të humbasësh jetën dhe të japë dhimbje fizike, por një fjalë e rëndë është si një plagë që pikon gjak gjithë jetës dhe e lëndon një person në çdo moment që e mendon atë fjalë. Njerëzit kanë mjaft probleme në jetën e tyre, mos ia shtoni edhe ju një vuajtje më tepër me fjalët tuaja të nxituara…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *