Ja një shkrim largëhedhës e kritik mbi gazetarinë dhe për “gazetarët e qelbur”, shkruar nga Indro Montanelli. Shkrimi kritk është pjesë e ligjëratave të fundit për gazetarinë që Montanelli mbajti në Universitetin e Torinos, më 12 maj 1997. Montanelli konsiderohet si gazetari më i njohur italian i shekullit XX, shkruan e pavarura MekuliPress.

Nga Indro Montanelli

E di që shumë nga ju jeni të interesuar për gazetarinë dhe mjetet e komunikimit. Këtë pasion kam nisur ta kultivoj qysh nga gjimnazi. Unë kurrë nuk kam dashur të jem tjetër përveçse gazetar, gjë që e dëshpëroi shumë babanë tim. Ai, si një drejtor liceu, e përçmonte gazetarinë, si një zanat fare të pasigurt. Po gazetaria ka qenë vokacioni i madh i jetës sime. Do ta pranoj para jush, megjithatë, se, sado që e kam dashur dhe vazhdoj ta dua këtë zanat, nuk mund ta këshilloj asnjë të ri t’i futet sot kësaj pune, sepse mendoj se gazetaria është tashmë në krye. Do të duhej të transformohet krejtësisht, në një kuptim që s’di ta parashikoj. Jam i kapluar nga kujtimet dhe vij nga një shkollë e caktuar, e në këtë moshë e kam të vështirë të mendoj diçka ndryshe. Shpresoj që për ju të ketë vend një transformim komplet, një transformim që t’i ketë parasysh faktet e rënda që kanë ndodhur në kohë, mes të cilave shumë faje dhe devijime të gazetarëve, futjen e teknologjive të reja, të tërë përmbysjes së zakonit. Gazetaria klasike, nga e cila s’do të dija kurrë të shkëputem, është e pamundshme të përshtatet. Kur nisa gazetarinë, rreth 60 vite më parë, kishim si arritje teknologjike makinën e shkrimit “Olivetti Lettera 22”, me të cilën vazhdoj të shkruaj. Nuk e prodhojnë më, ndaj për këtë u jam kthyer antikuarëve për pesë sosh, që i kam vendosur në pika të ndryshme. Më shumë se kaq nuk mund të bëj. Faksin s’di ta përdor, një person i dashur merret me këtë punë për mua, përndryshe s’do të dija as ta vë fletën në të. Ne gazetarët duhet t’i qërojmë hesapet me një armik vdekjeprurës. Në vend që ta luftojmë, jemi vënë në shërbim të tij: ky është televizioni. I kam të njëjtat ide me Popper-in, televizioni është mynxyra më e keqe që mund të na ndodhte, ngase është përdorur në atë mënyrë që të jetë i tillë.

Lexo po ashtu:  Gazetaria shqipe me telashe të mëdha

Gazetat janë bërë megafona të televizionit, prandaj gjejmë tituj me tetë e nëntë kolona për Pippo Baudo-n apo Parietti-n. Televizioni do të mund të ishte një instrument i madh i kulturës, ama nuk është. Mirëpo, këto janë punë për të. Ajo që është punë për ne, është se kemi zënë të bëhemi megafona të tij, duke kopjuar edhe zakonet e tij dhe duke e pranuar supermacinë e tij. Italia, përveç që prore e ka përzier seriozen me të dobishmen, prore e ka marrë të dobishmen si gjënë e vetme serioze. E ne s’bëjmë tjetër, vetëm se përshtatemi me këtë, duke e tepruar me këtë perversionim të zakonit tonë. Po ka edhe më keq. Televizioni udhëzon dhe i hap rrugë protagonizmit, që kur bartet në gazetari, ka efekte katastrofike. Televizioni provokon atë shtysën shumë të keqe tipike për gazetarët e këqij, kërkimin me çdo kusht të scoop-it. Nëse ndokush nga ju do të dojë ta ushtrojë këtë zanat, shmangeni tundimin e scoop-it! Mos harroni se ajo është rruga e shkurtër e gomarëve. Mundëson të arrish i pari, por në mënyre të keqe. Publiku është një kafshë e çuditshme, duket si dikush që kupton pak, por mban mend; e nëse ju luani me besimin e tij, e pat puna juaj. Ky besim duhet fituar seriozisht dhe me mund të madh, ditë për ditë. Kjo nuk shpëton nga gabimet, por imponon obligimin ta denoncojmë vetveten, kur e vërejmë gabimin, si dhe t’i kërkojmë falje lexuesit. Nëse doni të ushtroni këtë zanat, kujtohuni mirë. Është një zanat që kërkon shumë përulësi, e protagonizmi është në kontrast me këtë ligj fondamental.

I shoh sot drejtorët e rinj. Janë shumë të zotët, të kuptohemi, janë të moshës mes 40 e 50 vjeç, do të mund të ishin bijtë e mi. Ama nuk qëndrojnë në drejtori, i kam para syve, qëndrojnë në zyrën e marketingut, ngase gjëja themelore e një gazete është e ashtuquajtura audiencë. Audienca sjell publicitet, ngaqë një gazetë nuk duhet vetëm të jetojë, por duhet edhe të prodhojë para, para se gjithash nëse dëshiron të jetë e pavarur. Një gazetë që duhet t’i kërkojë dikujt para, është pa dashje shërbëtor i punëve të tij. Unë e kam humbur gazetën “Voce”, ngase s’ia dola mbanë ta bëj aktive. Është audienca, në format e saj më vulgare, ajo që na obligon ta vulgarizojmë gazetën, e cila për t’u shtypur duhet ta rrahë këtë rrugë. Kjo rrugë megjithatë nuk çon askund.

Lexo po ashtu:  Sadik Zeqiri: Pushkën e parë në luftë ma dha Qerim Kelmendi

Ne do të kemi një gazetari gjithnjë e më të keqe, sepse është gjithnjë e më shumë në kërkim të audiencës, gjithnjë e më shumë në kërkim të publicitetit, prandaj gjithnjë e më shumë e gatshme t’i përmbushë shijet e këqija të publikut, në vend se t’i korrigjojë. Të merremi vesh, publiku është përherë padroni ynë, nuk mund të shtyhemi me të me gjoks, ama duhet të edukohet. Megjithatë pa e shfaqur këtë, sepse s’ka asgjë më të keqe se qëndrimi prej mentori. Nuk e di nëse gazetaria është e zonja ta kryejë një evolucion në këtë kuptim, ama unë s’po ia shoh shenjat askund. Po të isha 40 vite më i ri, do të tentoja përsëri të hapja një gazetë. Ndokush mund të çuditet tash, ama do ta ndiqja rrugën e hapur nga kryearmiku im Ferrara me gazetën “Foglio”. Kjo gazetë është me gjasë ajo që duhej të bëja unë me gazetën “Voce”, e që s’pata fuqi dhe mundësi ta bëja. Një gazetë që do t’ua përshtaste menjëherë mjetet e veta çmimeve, me pak faqe, që do të mund të bënte pa një pjesë të madhe të reklamës, me gazetarë, medet, të paguar pak. Po ne prore jemi paguar pak, ky zanat s’bëhet për para. Bile, nëse takoni një gazetar të pasur, mos i zini besë. Gazetaria nuk shpie në pasuri, mund të shpjerë në mirëqenie, ju lutem! Unë nuk ankohem aspak, kam aq sa më duhet për të rrojtur mirë. Ama, gazetari i pasur është një gazetar që qelbet, ngase e ka përdorur zanatin për të arritur të tjera objektiva. Një gazetar që i nënshtrohet zanatit, duke i kërkuar ndjesë prokurorit Maddalena, do ta pushkatoja. Siç po e shihni, s’po ju sjell lajme të mira, megjithatë, në këtë pikë, më duhet t’jua them edhe një gjë tjetër. Bën vaki kam ushtruar një zanat të gabuar, ama nuk jam pishman. Ma ha mendja që gazetaria në Itali ta ketë kryer një mision, atë se e ka shkëputur kulturën italiane nga fortesat, nga kockat e saj mafioze. Më vjen keq që po ua kthej kaq keq mikpritjen tuaj, ama duhet t’ju them se gazetaria e ka kryer këtë detyrë me dekada, duke sjellë kulturën në mes të publikut.

Lexo po ashtu:  Gazetarja serbe, mediave të Vuçiqit: Publikuan lajme të pavërteta për gjendjen në Kosovë

Kultura italiane kishte një nevojë të madhe për këtë, ngase s’di t’i flasë publikut. Ka një gjuhë të vetën, të papërkthyeshëm në gjuhën e përbashkët. Ndoshta ju e dini se unë s’kam shumë për t’u lavdëruar në lidhje me vitin ’68 dhe me atë që ngjau atje, ngase ende i bart me vete shenjat dhe gjurmët, por shkaqet e largëta të atyre djelmoshave, që m’i futën goxha do plumba, po ta kisha moshën e tyre ndoshta do t’i kisha bashkëndarë. Sigurisht se do të isha larguar, sepse mënyra sesi dëshironin t’i bënin gjërat ishte e gabuar, ama diçka kishte aty. Në rebelimin, në njëfarë mënyre, si prej baroni të kuptimit të kulturës, ka diçka të drejtë. Kush nga ju do të dëshirojë ta zgjedhë këtë zanat, le të kujtohet ta zgjedhë padronin e vet, lexuesin. Le të vihet në shërbim të tij dhe le të flasë gjuhën e tij, jo atë të akademisë. Le ta kthejë kulturën e akademisë në mirëkuptim. Nguliteni në kokë, se kjo ka qenë një nga tradhtitë më të rënda të bëra në Itali, e janë bërë shumë sosh.

A doni dëshmi? Merreni një shkrim çfarëdo të cilitdo të Italisë së 700-shit dhe krahasojeni me faqet e enciklopedisë franceze. Faqet e Voltaire-t, e D’Alembert-it, janë të qarta dhe të pastra, gjithçka kuptohet. Në të tjerat s’kuptohet asgjë: gjuhë e toguar, ireale e princit. Gjuhë e kulturës në shërbim të zotërisë, që pastaj është bërë parti. Prandaj edhe është përkeqësuar, ngase ishte më mirë t’i shërbejë një duke apo një kardinali, sesa një partie.

Ishte më pak e ulët, sado që ishte e ulët edhe ajo. Kujtojeni se kultura italiane kurrë s’është përhapur, ajo pak gjë që është bërë, është bërë nga gazetaria. Nëse doni të ushtroni këtë zanat, ky është zotimi që duhet të keni. Për ta bërë, s’ka vuajtje që mund t’ju shkurajojë: ky zanat është shumë i bukur. Nuk çon askund, ama është shumë i bukur./MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *