𝐊𝐮𝐫 𝐏𝐚𝐫𝐚𝐬𝐡𝐪𝐞𝐯𝐢 𝐒𝐢𝐦𝐚𝐤𝐮 𝐛𝐞̈𝐡𝐞𝐭 𝐪𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚 𝐞 𝐛𝐨𝐭𝐞̈𝐬: 𝐑𝐞𝐟𝐥𝐞𝐤𝐭𝐢𝐦 𝐦𝐛𝐢 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚𝐭 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞

Nga Gëzim Mekuli,
/Njohës i shkencave të medias dhe retotikës/

Kur emri i Parashqevi Simakut, një emër i njohur dhe ndoshta nostalgjik, bëhet lajm kryesor, ne si shqiptarë, e si qytetarë, duhet të ndalemi dhe të pyesim: Pse media jonë zgjedh të fokusohet te individë me famë, ndërsa qindra mijëra të tjerë që ndajnë të njëjtin fat mbeten në harresë?

Një këngëtare ikonike që jeton pa kulm mbi kokë, përballë sfidave të jetës, padyshim që prekë nervin emocional të publikut. Por unë pyes përse ky përqendrim i egër i medias sall mbi një emër të njohur? Çfarë na thotë ky marifet për prioritetet tona si shoqëri/komb dhe si media?

𝐏𝐬𝐞 𝐯𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝐏𝐚𝐫𝐚𝐬𝐡𝐪𝐞𝐯𝐢 𝐒𝐢𝐦𝐚𝐤𝐮 𝐦𝐨𝐫𝐞?

Në Tiranë, Prishtinë dhe më gjerë, jetojnë mijëra “Parashqevi Simakë” – njerëz pa shtëpi, pa ushqim, të sëmurë dhe pa asnjë mbështetje. Ato janë gra të moshuara që mbledhin kanaçe për të mbijetuar, të sëmurë që nuk kanë para për të blerë barëra, apo familje të tëra që flenë në kushte çnjerëzore. Por për këto raste, mediat e çoroditura shqiptare heshtin.

Lexo po ashtu:  Kryeministri Kurti: Hetimet për sulmin në Ibër-Lepenc janë në vazhdim, do të publikohen detaje për përfshirjen e akterëve të huaj

E vërteta është e thjeshtë, të nderuar lexues: një emër si Parashqevi Simaku, një simbol i dikurshëm i shkëlqimit dhe suksesit, krijon audiencë. Për mediat, një emër i njohur është një histori që shitet, një “produkt” që tërheq emocionet dhe klikimet. Ndërsa hallet e njeriut të zakonshëm janë të “mërzitshme,” të “padukshme”, “bajate” dhe jo fitimprurëse.

𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚𝐭 𝐬𝐡𝐞𝐬𝐢𝐧 𝐞𝐦𝐨𝐜𝐢𝐨𝐧, 𝐣𝐨 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭

Në botën tonë shqiptare, mediat nuk janë thjesht për informim, ato janë bërë makineri emocionale që manipulojnë vëmendjen e publikut. Në vend që të ndriçojnë errësirën e jetëve të vështira, ato zgjedhin skandalet dhe sensacionet, duke zhdukur çdo ndjenjë të përgjegjësisë sociale.

Shembujt nga bota tregojnë se gazetaria e vërtetë nuk ka frikë të tregojë realitetin. Në Suedi, një seri reportazhesh mbi të pastrehët nxit reforma qeveritare. Në SHBA, një dokumentar mbi varfërinë në zonat rurale e bën jetën e harruar të fshatarëve një temë kombëtare. Ndërsa te ne, një emër nostalgjik si Parashqevi Simaku zë faqet e para në televizor, në portale e në radio, ndërsa njeriu i thjeshtë, ai në katund a dikund në qytet, mbetet i padukshëm.

Lexo po ashtu:  De Facto në luftë me Rusinë, SHBA organizon konferencë ndërkombëtare për armatosjen e Ukrainës

Kur mediat glorifikojnë hallet e VIP-ave, ato jo vetëm që tradhtojnë misionin e tyre, por krijojnë një shoqëri të pandjeshme, krejt materialiste.

Tashti unë pyes: Çfarë porosie dërgojmë ne kur hallet e një të famshmi marrin më shumë vëmendje se hallet e një jetimi? Kur një artist që dikur shkëlqente është më “i rëndësishëm” se një grua e moshuar që jeton pa ujë, pa bukë dhe pa drita?

𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐤𝐨𝐡𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐧𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐢𝐦, 𝐭𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬?

Po, është koha për ndryshim. Shembulli i Parashqevi Simakut është një thirrje për reflektim mbi atë që vlerësojmë dhe për çfarë zgjedhim të flasim. Çdo rast si i saj duhet të jetë një dritare për të parë dhe adresuar qindra mijëra histori të tjera të ngjashme.

Gazetarët normal duhet të rikthehen te rrënjët e profesionit të tyre: të jenë zëri i të pazëshmeve dhe fytyra e të padukshmeve. Vetëm atëherë mund të ndërtojmë një shoqëri ku çdo zë, i madh apo i vogël, ka rëndësi të barabartë.

Lexo po ashtu:  Kurti: Jemi në prag të fitores ndaj pandemisë COVID-19

Nëse e lëmë përqendrimin mediartik e social vetëm te emrat e njohur, atëherë kemi humbur jo vetëm shpirtin tonë si media, por edhe ndjeshmërinë tonë si shoqëri e si komb. Dhe kjo është humbja më e madhe për ne shqiptarët.