Migjeni

BLASFEMI

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të perëndueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.

Lexo po ashtu:  Sa shumë e donte Kosovën poeti Poradeci: Kush është lulja në Ballkan, është Kosova që s’njeh sulltan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *