Nuk din shkjau me mbajtë miqsí!

Por, s’ din Shkjau me mbajtë miqsí! 
Aman, Zot, kur duel Serdari, 
Se ç’ kje ndezë Vranina zhari! 
Aman, Zot, kur mrrîni Pera, 
Se shum krisi atbotë potera! 
Por kur rán Shkjét e Vraninës 
Shum u krisi plumja shpinës! 
Porsi shé, qi m’ nji natë gjâmet 
Rritet turr e del prej âmet 
Tuj ushtue – e tue shkumue, 
Shkaperderdhet nper zallina, 
Ashtû u derdh Shkjau te Vranina, 
N’ valë Shqyptarët krejt tue i pershî. 
S’ lufton ndryshe e rrebtë kulshetra 
E me dhâmbë edhè me kthetra, 
Zjarm e surfull tue flakrue, 
Kur drangojt t’ a kenë rrethue; 
Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari 
Per dhé t’ amel, qi i la i Pari: 
Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá, 
Tue korrë krena neper Shkjá. 
U janë ndezun flakë breshânat, 
U kullojn gjak n’ dorë tagânat, 
E u kullon gjak edhè zêmra, 
Veç se vendit s’ u lot thêmra. 
Por ç’ dobí: dielli tue lé 
Isht’ tue lé m’ at ditë per Shkjé! – 
I rán ndore Shkjaut t’ terbuem 
Tridhjetë t’ vrám e dhetë t’ shituem!… 
O ata t’ lumt, qi dhane jeten, 
O ata t’ lumt, qi shkrîne veten, 
Qi per Mbret e vend të t’ Parve, 
Qi per erz e nderë t’ Shqyptarve 
Derdhen gjakun tuj luftue, 
Porsi t’ Parët u pa’n punue! 
Letë u kjoftë mbí vorr ledina, 
Butë u kjoshin moti e stina, 
Aklli, bora e serotina: 
E dér t’ kndoje n’ mal ndo ‘i Zânë, 
E dér t’ ketë n’ dét ujë e rânë, 
Dér sá t’ shndrisin diell e hânë, 
Ata kurr mos u harrojshin, 
N’ kângë e n’ valle por u kndojshin.

Lexo po ashtu:  "Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet.” - Aforizma dhe shprehje popullore shqiptare!

– poezi nga Gjergj Fishta /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *