Dritan Hila, një ish-diplomat dhe aktualisht gazetar, shkruan për shfaqjen e flamurit turk në fasadën e korpusit universitar.

“Është vetëm flamuri i Republikës Turke”, shkruan Hila që sqaron popullin shqiptar se këtu nuk ka asgjë të keqe. Madje me një ton prej pedagogu rekomandon kombin që të gjejë udhën e të dalë nga provincializmi për të mos kërkuar probleme aty ku nuk ka.

Më tej Hila vazhdon duke cilësuar se shfaqja e flamurit aty ka edhe një kontekst elektoral pasi – dhe këtu është me gjasë kleçka – Edi Rama me mençurinë e tij e di që ky akt do të tërheqë simpati te një pjesë e besimtarëve myslimanë në Shqipëri.

“Shqiptarët më së fundi duhet të bëhen një komb modern dhe të mos mendojnë me klishe bajate sikur Perandoria e Otomanëve na la pas. Otomanët kanë pas pushtuar për katër shekuj edhe pjesë të Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Greqisë, por asnjë nuk ia vë fajin otomanëve edhe në vitin 2020 për mosarritjet e tyre.

Sa për të qetësuar shpirtërisht filogrekët, Rama sapo ka pranuar shtrirjen 12 milje të Greqisë, fakt që do t’i hapë shumë punë diplomatike Turqisë që të kompensojë tradhtinë tone”, shkruan Hila ndër të tjera që zbulon këtu edhe merakun tjetër të 12 miljeve detare.

Sigurisht që “rreshtimin” në këtë rast e kupton edhe duke fjetur gjumë sepse tanimë është krijuar një shabllon i stërnjohur që kur flitet për Turqinë, do dalë në skenë edhe Greqia. Dhe në mediat shqiptare ka analistë dhe opinionistë që prezantojnë gjepolitikë personale duke mëtuar të mësojnë miletin nga të kërkojë miqtë dhe armiqtë.

Lexo po ashtu:  ?? ???????, ? ???? ??̈ ??̈???? ?? ??????? ???????????

Shaban Murati p.sh, një tjetër ish-diplomat dhe publicist kërkon thuajse përditë rrezikun greko-sllavo-ortodoks për shqiptarët duke interpretuar se nga ky aks shqiptarët i shpëton aleanca me SHBA dhe Turqinë. Nuk ka asgjë të keqe në vetvete te këto interpretime të njëanshme dhe qartazi me premisa paragjykimi, vetëm se ky krah analistësh sjell bashkë me qasjet e veta edhe akuzën se çdo devijim në krah tjetër barazohet me shitjen, tradhëtinë dhe armiqësinë ndaj historisë së kombit shqiptar.

Në rastin konkret analogjitë e z. Hila janë tetraplegjike për shkak se në dallim nga popujt e krishterë të Ballkanit nën Perandorinë Otomane, shqiptarët në një pjesë të madhe u integruan edhe brenda suazës së besimit islam duke mbishtresëzuar në identitetin e tyre edhe një identitet otoman në të cilin nisën ta shkrinin çdo ngjyrim. Kjo shpjegon deri diku pse mësimet e Rilindjes Sonë u orientuan drejt rindërtimit identitar bazuar te gjuha dhe shqiptaria si totem shpirtëror mbifetare.

Apeli i pedagogut Hila se ne duhet të hapim mendjen e të mos shohim të keqen te Perandoria Otomane është për t’u shënuar, por ai nuk është kaq sipërfaqësor sa thuhet dhe as ka të bëjë me psikologjinë e një kombi provincial, por me besimin në një narrativë të edukuar me ngulm në 150 vjet. Dhe kjo narrativë që stigamtizon Perandorinq Osmane, mundëson glorifikimin e Skënderbeut, ngjit mandej identitetin tonë europian ashtu si u imagjinua ai, për të themeluar përveç një profili nacional edhe një hierarki vlerash ku qëndron ky profil.

Lexo po ashtu:  Bulevardin e 2 marsit e mbushi Rama, jo Meta

Të asgjësosh sot këtë narrativë do të thotë të kthesh më kokë poshtë një përpjekje një shekullore ku është farkëtuar konsensusi relativ për investimin psikologjik të krijimit të kombit e që ka arritur të krijojë forcë centripale nga të gjitha periferitë e botës shqiptare. Eliminimi i kësaj paradigme mundet të jetë padyshim një gjë e mirë, por ajo duhet zëvendësuar sepse askush nuk mund të imagjinojë se cilat vlera apo parime do ta bënin të mundur bashkëjetesën mes shqiptarëve që mbeten pa fabulë nacionale. Historia e krijimit të shtetit shqiptar është në vetvete edhe një histori e heshtjes mbi dasitë aq të mëdha, e injorimit të fragmenteve sociale të shoqërisë në funksion të realizimit të një hapësire të re dhe mandej e një dhune të pashoqe në mbylljen e të gjitha simboleve që riprodhonin dhe përfaqësonin identitetin historik të shqiptarëve.

E vërtetë ai është vetëm një flamur i një vendi mik. Por ne kemi lirinë e Zotit ta përkufizojmë vetë se kë kemi miq, se cilëve u pranojmë flamurin në bajrak dhe ata nuk na i tregon dot askush. As Edi Rama dhe as Ilir Meta apo Sali Berisha. Këta kanë patjetër një opinion si të gjithë ne të tjerët, asgjë më shumë.

Lexo po ashtu:  ‘Mos harro se në Evropë të gjitha i gjen, por dashurinë e vendit tënd kurrë’

Sigurisht ata mund ta rreshtojnë përkohësisht Shqipërinë kudo, sepse një shtet artificial do të manifestojë çdo lloj idiotizmi, por dështimi kronik i këtij shteti provon se ai nuk ka arritur të realizojë si duhet përfaqësimin e shoqërisë që pretendon se drejton. Për shkak të narrativës së rreme të cilën e vë në dukje padashur z. Hila, por edhe imponimit të këtyre miqve dhe armiqve që shkëmbehen sipas gustos, interesave dhe halleve të elitave të kapura në Tiranë.

Bota shqiptare sot është më e fragmentuar se kurrë edhe sepse nuk i beson më kësaj narrative të cilën ndihmon ta relativizojë edhe një flamur turk jo si i tillë, por për mënyrën servile dhe hileqare me të cilën ai shpaloset para shqiptarëve, apo një shkrim si ky i z. Hila, sikundër e vë në krizë të thellë DËSHTIMI i SHQIPËRISË dhe gjeopolitika e brendshme shqiptare që ka prodhuar diasporë në shumë drejtime kulturore.

Flamuri nuk është në asnjë rrethanë një simbol neutral, sepse poshtë tij nuk qëndrojnë duar fëmijësh. Ai flamur i shpalosur nga qytetarë turq në Tiranë, është një gjest shumë më i pranueshëm sesa ky ekranizim i bërë nga parafina që merr çdo formë e Tiranës politike. Kaq e dimë edhe pse nuk jemi dot aq të mençur sa patriotët e krijuar paralel me Njeriun e Ri në Tiranë. /Skerdilajd Zaimi/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *