Nga Kasem Trebeshina

Jeta është e vështirë!…Vdekja arrihet më me lehtësi!…Por, ne erdhëm në jetë!…Erdhëm me mundim dhe dhembje…Ndaj dhe duhet, patjetër, ta jetojmë sa më gjatë!…Dhe sa më gjatë ne mund ta jetojmë duke u përpjekur që të gjitha veprimet tona të çojnë në ndërtime të arsyeshme dhe jo në shkatërrimin e Botës!

Nuk kam ndërmend t’ju kërkoj të falur për pjesëmarrjen time në atë luftë të ndyrë civile dhe të gjithë ju duhet të kini parasysh se nuk jam duke shkruar as “Historinë e Luftës Civile në Shqipëri”, dhe as “Historinë e Luftës në Shqipëri”. Jam vetëm duke dhënë një përshkrim të shkurtër të jetës sime, të eksperiencës sime në një nga periudhat më të turbullta të Historisë së Shqipërisë. E di, unë kam përgjegjësitë e mia për ato që kanë ndodhur, por këto përgjegjësi lidhen drejtpërdrejt me moshën që kisha në atë kohë. Politika është një gjë shumë e vështirë dhe rinia nuk është e aftë që të angazhohet në të. Për ata që janë me të vërtetë të etur për të pasur një përshkrim të hollësishëm për ato që ndodhën në të vërtetë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, unë rekomandoj të lexojnë vetëm librat zyrtare komunistë që, nga koha në kohë, ndryshojnë. Aty ata do të zbulojnë gënjeshtrat dhe kontradiktat e një klouni të çmendur, e një djalli që ka vuajtur tërë jetën nga paranoja me psikopati.

Mirë!…Pasi Miladin Popoviçi e krijoi partinë e tij komuniste shqiptare unë mbeta një i ri komunist, gjë që nuk më bëri kurrfarë përshtypje, se nuk kisha humbur ndonjë gjë nga ai ndryshim. Në të vërtetë unë nuk i njihja udhëheqësit komunistë shqiptare, as Miladinin dhe as Titon. Unë njihja vetëm Stalinin si udhëheqësin tonë dhe dëshira ime e zjarrtë ishte të merrja armët kundër armiqve fashistë. Doja vetëm të luftoja.

Lexo po ashtu:  "Fjalët e qiririt" në anglisht - Një çast i vyer për pervjetorin e ditëlindjes së babait të kombit, Naim Frashëri, dhe një dhuratë e vyer për të gjithë fëmijët shqiptarë që mësojnë anglisht.

Gjatë gjithë rezistencës asnjëherë nuk kam ëndërruar të bëhem oficer, por vetëm të isha një ushtar i thjeshtë i vendit tim dhe, kur të mbaronte lufta, të plotësoja arsimin tim dhe të vazhdoja punën time letrare. Isha i sigurt që komunizmi ishte demokracia më e përsosur në një sistem të shkëlqyer pluralist, ku edhe bujqit e mi do të ishin të lirë sa unë dhe të tjerët. Nuk kisha asnjë ide për diktaturën e proletariatit dhe në imagjinatën time bota e re do të ishte si shoqëritë e vendeve perëndimore.

Pavarësisht nga kjo, gjatë luftës kam qenë një komunist i mirë dhe ne të gjithë, armiq dhe miq, u gabuam nga kjo koincidencë e çuditshme. Natyra ime turke e tregoi veten në qetësinë time, në disiplinën time ushtarake dhe në ashpërsinë time në luftë. Kështu, udhëheqësit komunistë më morën për atë lloj njeriu që unë nuk isha. Por e gjithë kjo tashti është e varrosur dhe përgjithmonë dhe ndofta në varrin e vëllait tim!…Dhe unë nuk kam më rast që të zihem me të!…

Në Shqipëri u gjenda i poshtëruar dhe i fyer…

Në Shqipëri u gjenda i poshtëruar dhe i fyer. Autoritetet tona kishin përhapur tej e përtej fshatit –tonë-shtet fjalën se unë isha i sëmurë psikik. Kërkova një përgjigje për problemet e mia, por ata vazhdonin një heshtje nga më të çuditshmet.

Lexo po ashtu:  “Atdheu atëherë ishte jetë, tash po e urrej atdheun e lirë”

Gjatë verës së 1950-ës ata bënë çdo gjë që mundën për të më dërguar përsëri në Institut dhe, kur autoritetet tona u bindën plotësisht se ishte e pamundur që të ndryshoja mendim, e ndërruan pllakën dhe vendosën të më bëjnë një burokrat në Komitetin e Arteve. Por unë e kisha vendosur ndryshe dhe nuk kishte fuqi në botë që mund të më detyronte t’iu dorëzohesha armiqve të mi. Shkova në Teatrin Popullor si aktor-probist dhe atje, brenda një kohë të shkurtër, i binda kolegët e mi se isha një dramaturg shumë i mirë. Komeditë e mia lexoheshin me entuziazëm nga aktorët më të rëndësishëm të Teatrit Popullor. Ata protestuan me forcë tek autoritetet komuniste, më mbrojtën nga sulmet e tyre dhe i detyruan që të më dërgojnë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjë shumë e rrallë për atë kohë. Por Enver Hoxha nuk ma harronte kurrë faktin që unë kisha qëndruar në opozitë me jugosllavët kur ai puthej dhe jargavitej me ta dhe autoritetet kishin dhënë fshehurazi urdhrin që Shtëpia e vetme Botuese në Shqipëri të mos më botonte. Në vendet komuniste botimi është nën kontrollin absolut të Partisë Komuniste dhe asnjeri nuk mund të botojë një libër pa lejen e një grupi të padeklaruar censorësh. Kështu ishte me të vërtetë për t’u çuditur që unë, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, nuk kisha të drejtë reale, që të botoja një roman, një dramë, ose një libër me lirika në Shqipëri!…

Lexo po ashtu:  Rusia po eksploron një sulm kibernetik ndaj SHBA

E ndiej që nuk jam më, në asnjë vend…

Jeta është e vështirë!…Vdekja arrihet më me lehtësi!…Por, ne erdhëm në jetë!…Erdhëm me mundim dhe dhembje…Ndaj dhe duhet, patjetër, ta jetojmë sa më gjatë!…Dhe sa më gjatë ne mund ta jetojmë duke u përpjekur që të gjitha veprimet tona të çojnë në ndërtime të arsyeshme dhe jo në shkatërrimin e Botës!

Që ne ta ndalim shkatërrimin e shpejtuar të Botës është e domosdoshme që të merremi vesh me njëri-tjetrin!…Marrëveshja është e vështirë, gjer në pamundësi…Dhe përsëri e përsëri, ajo duhet të arrihet!…Dhe me të gjithë!…Ndryshe, shkatërrimi do të jetë i paikshëm!…Unë, tashti, jam në muzgun e jetës sime…Dhe e ndiej që nuk jam më në asnjë vend !…Të gjitha sa kisha për të thënë, kanë mbetur këtu…Më tej, do të kaloj atje ku nuk arrijnë as shpifjet dhe as gënjeshtrat! Ndofta ka mbetur këtu jehona e heshtjes së madhe…Dhe “Përmbytja e madhe”!…Po! Ndofta “përmbytja e madhe” nuk është hedhur në skenë!…E kam menduar dhe po e mendoj dramën e shtatëdhjetetetë!…Kushedi?! Mund dhe e shkruaj!…Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!.. Ju mos e bëni të padurueshme, gjer në shkatërrim!…Dhe mos harroni!…Diktaturat nuk i kemi lënë pas!…Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!…Mendohuni mirë…Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…Lamtumirë!…

*Fragmente nga libri me esse e kujtime, “Dafinat e thara”, që mbajnë datën 2007, por botuar më 2016. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *