Në moshën 17 vjeçare, Oriana Fallaci u punësua si gazetare në një gazetë të përditshme në Firenze dhe në moshën 19 vjeçare u diplomua dhe licensua me urgjencë. Tregu i punës në atë kohë kishte nevojë urgjente për gazetarë, ndaj dhe procedurat ishin shumë të shpejta për diplomimin dhe punësimin e tyre. Ja çfarë thotë ajo për një vend pune, ku ishte e punësuar në atë kohë.

“Më dhanë si detyrë të shkruaja një pjesë me gabime për tubimin e një lideri, për të cilin duhet të keni parasysh, se kisha një antipati të thellë, madje më tepër akoma, ndieja neveri. Ajo ishte një pjesë që, sigurisht, unë nuk do ta shkruaja. E skandalizuar, i thashë drejtorit se unë nuk kisha për të shkruar kurrë gënjeshtra. Ai më tha se gazetarët ishin të detyruar të shkruanin gjërat, për të cilat paguheshin. Më tha madje: “Nuk duhet pështyrë në pjatën ku ushqehesh”. Iu përgjigja se në atë pjatë mund të ushqehej ai, dhe se para se të shkruaja gënjeshtra, më mirë preferoja të vdisja urie. Sigurisht që ai më hoqi nga puna, por askush, asnjëherë, nuk më ka bërë të shkruajë ndonjë fjali për të fituar para. Gjithçka që kam shkruar në jetën time, nuk ka pasur kurrë të bëjë me paratë”.

Lexo po ashtu:  Simone de Beauvoir, zëri i të drejtave dhe emancipimit të gruas

Nëse edhe në ditët e sotme do të kishim gazetarë më të përgjegjshëm për punën që bëjnë, sigurisht do të kishim më pak lajme të shpikura apo gënjeshtra të shkruara gjithandej për të prishur imazhin e njerëzve të tjerë. Gazetaria duhet të bazohet mbi fakte, jo mbi opinione. Nuk mund të njollosësh punën e dikujt për para, thjesht sepse ashtu ke dëgjuar të thuhet për të. Shpresojmë që fjalët e të ndjerës Fallaci, gazetares dhe shkrimtares së njohur italiane, të jenë një mënyrë reflektimi për gazetarët e sotëm, shumica e të cilëve i nxjerrin të ardhurat duke u munduar të ndjerrin keq personat e tjerë, për të cilët shkruajnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *