Ja disa nga thëniet e Kim Mehmetit përmes së cilave ai ka shprehur zhgënjimin e tij për disa çështje në shoqërinë shqiptare.

“Nëpër vendbanimet tona nuk ka librari e biblioteka, por në çdo lagje ka nga një palestër për mirëmbajtjen e trupit, sepse te ne nuk është e turpshme të jesh ‘trutrashë’, por truptrashë: vashat tona nuk e vlerësojnë djalin nëpërmjet asaj që ka në kokë e shpirt, por për nga marka e xhipit që ai grahë!”

“Pa dyshim se e keni dëgjuar batutën për babën i cili, kur i biri e pyet se ç’punë bëjnë dhe çka shesin politikanët shqiptarë, të cilët aq shpejtë dhe aq shumë pasurohen, ai i përgjigjet: ata bir shesin më të shtrejtën dhe më të vlefshmen që kemi – atdheun dhe interesat e popullit! Por ky baba është dashur t’ia sqaroj të birit se, nuk duhet pasur zili pasanikët e tillë, ngaqë ata, përjetë do i shoqërojë mallkimin më i rëndë: ai i popullit dhe i lotëve të varfanjakëve!”

“Pakënaqësia dhe revolta që nuk shndërrohet në veprim, përfundon ose në vajtim, ose në nënshtrim! Dhe aty ku pakënaqësia mbetet vetëm lotëderdhje dhe vuajtje e heshtur, njeriu ose pajtohet të jetojë me të keqen, ose ndërmerr atë që bëjnë të rinjtë e ‘Shqipërive’ tona: ikin nga hapësirat ku sundojnë vrastarët e shpresës, ku fatin e të ndershmëve e përcaktojnë hajdutët dhe të pafytyrët dhe ku, njerëzit pajtohen që të keqen e sotme, ta krahasojnë me më të keqen e djeshme!”

Lexo po ashtu:  Të heshtim apo të mos heshtim, - Kjo është çështja shqiptare sot?

“Sigurisht e keni dëgjuar rrëfimin për dhelprën që ikë nga pylli, ku luani ka vendosur t’i vret të gjithë ujqit dhe e cila, kur i thonë të mos ikë, sepse është dhelpër e jo ujk, është përgjigjur: nuk jam duke ikur nga luani, por nga gomari, të cilin ai e ka shpallur përgjegjës të pyllit dhe përpilues të listës së ujqve! Jam i sigurt se nëse i pyetni të rinjtë shqiptarë pse e braktisin vendlindjen, edhe ata do u jepnin përgjigje të ngjashme: se nuk janë duke i ikur gjithaq varfërisë, por ‘gomarizimit’ të politikave shqiptare!”

“Ne jetojmë në kohë kur shumica e të rinjve nuk mbajnë llogari as si vishen, as ku zhvishen! Pra ne e jetojmë epokën kur vlerësohen prapanica dhe gjoksi i cullakosur, e jo koka e mbushur dhe fytyra që dinë të skuqet! Dhe kjo ndodhi shkaku se ne, prindërit e këtyre të rinjve, u zhveshëm nga morali e ndershmëria dhe, fatin e fëmijëve tanë, e lamë në duar të atyre që janë disfata e shqiptarisë!”

“Fare nuk lexojmë , e aq shumë flasim dhe shesim mençuri! Sikur të lexonim nga një libër në vit, do vinte dita kur do e kuptonim sa shumë rrëfen heshtja dhe, sa i mençur është ai që di të dëgjojë!”

Lexo po ashtu:  Kemi problem të madh me ju sepse jeni të paaftë me bo kritikë. Më lejoni ta shprehi ndihmën time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim

“…Mençuria dhe oratoria nuk vijnë me porosi: i rrënuam standardet vlerësuese dhe u bëmë shoqëri ku njeriu nuk vlen aq sa ka në kokë, por sa ka ne xhep: të gjithë të rinjtë tanë duan të bëhen o ‘tallava’ këngëtarë, o ‘tallava’ gazetarë, o ‘tallava’ politikanë: jemi duke u bërë ‘tallava’ popull”. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *