Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të enjten një rezolutë të përgatitur nga Izraeli, që dënon çdo mohim të Holokaustit dhe u kërkon të gjitha kombeve dhe kompanive të mediave sociale, “të marrin masa aktive për të luftuar antisemitizmin dhe mohimin ose shtrembërimin e Holokaustit”.

Rezoluta u miratua në prani të një grupi njerëzish që i mbijetuan gjenocidit nazist që vrau rreth gjashtë milionë hebrenj, rreth dy të tretat e popullsisë hebreje të Evropës, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Votimi vjen në të njëjtën ditë, 80 vjet më parë, gjatë Konferencës së Wansee, kur zyrtarët e lartë nazist diskutuan dhe koordinuan gjenocidin e popullit hebre, duke krijuar sistemin e kampeve naziste të vdekjes.

Duke prezantuar rezolutën, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, vetë nip i viktimave të Holokaustit, Gilad Erdan, tha se bota jeton “në një epokë në të cilën trillimet tani po bëhen fakt dhe Holokausti po bëhet një kujtim i largët”.

“Mohimi i Holokaustit është përhapur si kancer, është përhapur nën vëzhgimin tonë”, paralajmëroi ai.

Lexo po ashtu:  Bjellorusia zotohet për partneritet me BE-në

Sipas rezolutës, ky gjenocid “do të jetë përgjithmonë një paralajmërim për të gjithë njerëzit për rreziqet e urrejtjes, fanatizmit, racizmit dhe paragjykimeve”.

Në tekst, Shtetet Anëtare shprehin shqetësimin për “prevalencën në rritje të mohimit ose shtrembërimit të Holokaustit nëpërmjet përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit”.

Ai gjithashtu u kërkon të gjitha shteteve anëtare të “refuzojnë pa asnjë rezervë çdo mohim ose shtrembërim të Holokaustit si një ngjarje historike, plotësisht ose pjesërisht, ose çdo aktivitet për këtë qëllim”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *