Kryetari i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiç, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se është emëruar në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Vendimin e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Kjo pozitë deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiç, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.

Për të njëjtën arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.

Viteve të fundit Rashiç ka vepruar si politikan opozitar serb në Kosovë.
Para formimit të Listës Serbe më 2013, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e Qeverisë.

Më 2020, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati emëruar Rashiçin si drejtor të Zyrës për Komunitete, mirëpo ai ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Speciale.

Lexo po ashtu:  Egjipti fillon restaurimin e arkivolit të artë të Tutankhamonit

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar atë nga aktakuza për “keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *