Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ku në konferencë për media është deklaruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Ajo tha se është marrë vendimi që të kërkohet raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti para shkuarjes së tij në Washington.

“Në mbledhjen e Kryesisë, me vendim unanim të anëtareve prezentë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit në mënyrë që ai t’i raportojë Kuvendit para se të udhëtojë në Washington, duke e pasur rëndësinë e çështjes së dialogut dhe rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë Kuvendi dhe detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë Kuvendit. Do ta ftojmë kryeministrin në Kuvend të debatojë dhe të raportojë për qëndrimet e Kosovës atje (në Washington). Datën do ta caktojmë, por do të ndodhë para udhëtimit në Washington”, theksoi ajo, raporton Zeri.info.

Kryeparlamentarja tha se të martën është caktuar të mbahen dy seanca, njëra vazhdim i së kaluarës, dhe tjera e re me disa pika të rendit të ditës.

“Të martën do të mbajmë dy seanca, njëra vazhdim, e tjetra e re, që ka të bëjë me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe seanca e dytë do t’i përfshijë disa pika të reja që kanë të bëjnë me krijimin e komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e disa bordeve dhe komisioneve që presin të trajtohen në Kuvend. Dhe një çështje tjetër që mund të trajtohet aty apo në ndonjë seancë tjetër, është interpelanca në raport me Kryeministrin e kërkuar nga një grup deputetësh (të LVV-së) që ka të bëjë me heqjen e reciprocitetit me Serbinë”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.

Lexo po ashtu:  “Troç, dy fjalë, kombit mbarë, Sy me sy me ja thanë deshta: Ma zor mblidhen dy shqyptarë, Sesa mblidhet nji thes me pleshta”

Ajo tha se është marrë vendim edhe për vendosjen e një karrige të zbrazët në qendër të Kuvendit në përkujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

“Kryesia ka miratuar edhe propozimin tim të seancës solemne që ka të bëjë me lënien e një karrige të zbrazët në qendër të Kuvendit, dedikuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës, pastaj në konsultim me ekspertët e fushës dhe me shoqërinë civile do të përcaktojmë dizajnin”, tha Osmani.

Shefi i GP të LVV-së, Rexhep Selimi, tha se Hoti duhet t’i raportojë Kuvendit se çfarë po pretendon të bëjë në Washington.

“Sot patëm një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit. Shqyrtuam rreth seancave të ardhshme që pritet të mbahen. Deri në momentet kur po flasim, Hoti ende nuk ka shprehur interesim për t’iu drejtuar Kuvendit të Kosovës për atë se çfarë do të diskutohet në Washington. Sot në Kryesi e kemi ngrit si çështje që ai duhet të vijë të raportojë për atë që po pretendon së mund ta bëjë”, theksoi Rexhep Selimi, raporton Zeri.info.

Lexo po ashtu:  Bojken Abazi: Për Vetëvendosjen, 17 shkurti i vitit 2008 ishte një hap para e dy mbrapa (Video)

“Ai ndoshta e ndjen se duhet t’u raportojë vetëm presidentit dhe Listës Serbe, por ai duhet të raportojë para Kuvendit të Kosovës”, u shpreh shefi i GP të LVV-së.

Ai tha se deputetët duhet ta dinë se çfarë do të flasë kryeministri në takimet me Serbinë, ndërsa potencoi se “nëse ai nuk përgjigjet, ne do të mbledhim nënshkrimet për ta sjellë atë në Kuvendin e Kosovës”.

Ndërkaq, për ftesën e Hotit ndaj partive politike për t’u takuar nesër në orën 11:00, Selimi tha se LVV-ja e fton atë para deputetëve, e jo ai LVV-në.

“LVV-ja e thërret Hotin, jo ai të na thërrasë neve. Ai duhet të kthehet në Parlamentin e Kosovës, ndaj para se të na presë ai, ne e presim atë”, tha Selimi, raporton Zeri.info.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *