Jaunsh Bugajski shkruan sot një opinion që publikohet në gazeta “Dita”  me titiull: Vera e protestave, por që gazeta e ka thjeshtuar në mënyrë abuzive me titullin profetik: Ç’pritet të ndodhë në Shqipëri dhe jo vetëm? Në fakt Bugajski nuk shpjegon gjëkundi se çfarë pritet të ndodhë. Ai thjesht bën një kronologji të atyre që kanë ndodhur, duke i kujtuar lexuesit shqiptar se protestat e Tiranës nuk janë të vetmet. Ato kanë një kontekst rajonal dhe më gjerë, duke filluar nga Gjeorgjia, në Çeki, Serbi dhe Mal të Zi.

Për çfarë protestohet? Bugajski na e shpjegon: në Gjeorgji u provokua nga ftesa ndaj një politikani rus që të fliste për ortodoksinë në Parlament. Gjeorgjia ka humbur pjesë të territorit dhe normalisht që këto lloj shakash servile irritojnë. Për Çekinë, analisti në fjalë ka shpejgim tjetër: aty gëlon korrupsioni. Kryeministri Andrej Babis është një biznesmen që drejton vendin si çiflig personal. Ndaj edhe çekët ngrihen në protestë. Kësaj panorame, Bugajski i hedh erëzat e shumëshitura të tipit “Putin-Moskë-Rusi”:

Opozita është gjithashtu e shqetësuar se Babis është duke bërë komplotuar me presidentin çek Milos Zeman, një simpatizant pro-Putin, për shkatërrimin e pavarësisë së gjyqësorit, shkruan ai.

Mirëpo pse duhet të jesh pro-Putinit kur ke nevojë që të mbrosh hajdutllëqet e tua? Kapja e gjyqësorit është e vetmja rrugë për çdo hajdut në politikë dhe kjo nuk lidhet më me ndonjë vokacion antiperëndimor, por me hallin e madh për të shpëtuar kokën dhe rehatinë. Ku hyn këtu Putini dhe pse përjashtohet Xi Jinpingu p.sh?

Lexo po ashtu:  Ky liqen i njohur në Kosovë shtrihet mbi varreza dhe kisha

Në Serbi dhe në Mal të Zi, protestat janë sërish për korrupsionin. Kërkohet largimi i Vuçiç dhe Gjukanoviç, me dallimin të cilin analisti nuk mund ta harrojë se malazezët po shtyhen në portesta nga parti opozitare që kanë axhendë nacionaliste. Përfundimi i kësaj analize është ky:

Dy mësime mund të nxirren nga kjo verë protestash dhe pakënaqësie. Së pari, që edhe në demokracitë  e konsoliduara, si ajo e Republikës Çeke, populli nuk mund të pranojë pasivisht abuzimin e qeverisë dhe korrupsionin midis cikleve zgjedhore dhe se brezi i ri i qytetarëve të irrituar janë të gatshëm të marrin pjesë në protesta masive. Dhe së dyti, në disa raste, zemërimi i publikut mund të nxitet dhe të manipulohet ose që të përfitohet nga partitë opozitare ose që t’i shërbehet interesave gjeopolitike të një fuqie të huaj

Pra, nga Gjeorgjia në Shqipëri, në krye të vendit janë hajdutë me imunitet të cilët janë kredituar si të tillë nga Perëndimi. Politikanë që kanë përparuar pandalshëm në shkeljen dhe kufizimin e të drejtave dhe lirive, përkundrejt garancive që u japing kancelarive perëndimore se ata sigurojnë stabilitet. Në momentin që njerëzit ngrihen në protesta kundër tyre, sigurisht që propagandues si Bugajski do të dalin e të thonë se kemi të bëjmë me ndërhyrje ruse. Pra: duroni sa të vjedhin edhe ca këta që janë në krye, shkoni në zgjedhje, bëhuni pjesë e farsës elektorale, sepse ky është një ushtrim demokratik. Nuk duhet të jesh shumë i mençur për të kuptuar një gjë fare të thjeshtë: Perëndimi dekurajon protesta të kësaj natyre vetëm për një arsye: I intereson status quoja dhe nuk dëshiron që të promovojë më liderë apo politikanë që vijnë nga jashtë sistemit.

Lexo po ashtu:  Kryeministri i pakorruptuar falënderon ShBA-në për donacion, u bën apel qytetarëve të vaksinohen

Sigurisht që herët apo vonë Vuçiçët, Babisët dhe Ramat do të kenë ikur nga karrigia, ndoshta edhe do përfundojnë burgjeve si Sanader, por kjo duhet bërë kur Perëndimi ta liçencojë një gjë të tillë. Po ku qëndron e bukura, apo vlera e kësaj “demokracie të telekomanduar”? Çfarë fiton Perëndimi me këtë lloj politike?

Asgjë në realitet. Vetëm pak kohë. Por kjo kohë na jep të gjithëve një mësim të mirë: askush nuk duhet të presë nga të tjerët që gjërat të ndryshojnë, ato duhen ndryshuar vetë. Askush nuk mund të besojë fatin e vet edhe te njerëz si Lulzim Basha dhe Ilir Meta që ditën bëjnë revolucionarin, por natën kanë ethe nga llava e urrejtjes që shohin se po rritet kundër politikës, pra edhe kundër tyre. Njerëz që ulen në bythë me një sms amerikanësh që bëjnë pushime në Tiranë.

Z. Bugajski është asgjë më shumë se një viktimë e historisë së afërt politike të Europës Qendrore, e cila përjetohet si një periudhë e çlirimit nga dara sovjetike. Dhe mandej në emër të kësaj përvoje synon ta shpjegojë çdo gjë me Tjetrin përballë. Njerëz dhe analiza të këtilla, president si Ilir Meta dhe kukulla qesharake si Lulzim Basha, apo kryeministra kodoshë si Edi Rama që luajnë për pak ledhatim nga Perëndimi, nuk ofrojnë gjë për të ardhmen.

Lexo po ashtu:  Syri i Gjonit në Malësinë e Madhe, destinacion ekoturistik

Protestat e tanishme janë një valë në vazhdën e një procesi që po fermentohet dhe kërkon ndryshim elitash, por edhe ndëshkim penal për elitat e tanishme. Pyetja që shtohet është vetëm një: nëse elitat e tanishme janë të korruptuara, cila është përgjegjësia e Perëndimit për to? Për mbështetjen e tyre?

Le të mos bëjmë sikur nuk jetojmë në një botë që e ka bërë shumë të shkurtër përcjelljen e lajmit dhe të mesazhit. Protestat e tanishme janë asgjë më shumë sesa reaksion ndaj një politike. Nuk janë luftë për një Ide të re. Dhe këtë politikë e kanë favorizuar SHBA dhe BE, që sot dalin si pastorë paqësues, por në një vend tjetër, për interesa të tjera, i quajnë protestusit dhe protestat Pranverë. Por sigurisht që Perëndimi nuk ka shkëlqyer ndonjëherë në Kuzhinë, ndaj edhe gjella e tij nuk hahet fare. Edhe kur ja ka dalë – si në rastin e demokracisë – të kopjojë të tjerët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *