Screenshot

Mireille Silcoff

Këtë verë, i dhashë vajzës sime 12-vjeçare 100 dollarë për të lexuar një libër. Sigurisht, ishte një përpjekje e fundit sa i përket manovrave prej mamaje dhe pagesa ishte e tepruar.  Nuk mund të them se jam krenare – por jam jashtëzakonisht e kënaqur. Sepse plani funksionoi. Funksionoi aq mirë, sa do t’u sugjeroja prindërve të tjerë të lexuesve ngurrues, që të hapin portofolin dhe t’u japin ryshfet fëmijëve për të lexuar.

Vajza ime është një fëmijë i zgjuar, padyshim më e zgjuar se unë kur isha 12-vjeç. Por deri kur përdora “ryshfetin”, ajo kurrë nuk kishte lexuar një libër të plotë, thjesht për kënaqësi. Lexonte libra për shkollën, por ta shtyje që ta bënte atë detyrë, ishte si t’i shkulje dhëmbët, dhe vetë ajo kishte lexuar disa romane me grafika, apo kishte dëgjuar me audio librat e serisë së “Harry Potter”-it. Asnjë prej këtyre nuk i hapi dyert drejt atij zakoni, që unë mund ta quaj lexim i thelluar klasik – me dy sy të ngulur përpara fletës, dhe injorim të gjithçkaje rretherrotull.

Kur u përballa me këtë të vërtetë disa muaj më parë, u ndjeva si një dështim si prind. Edhe pse ne kishim lexuar shumë libra me tregime kur ajo ishte më e vogël, dhe jetojmë në një shtëpi të mbushur me libra, nuk arrita t’i rrënjos fëmijës tim, një nga kënaqësitë themelore të jetës.

Pak kohë para pandemisë, një studim dëshpërues zbuloi se sa shumë kishte rënë leximi për kënaqësi tek fëmijët. Pothuajse 30 përqind e 13-vjeçarëve thoshin se “kurrë apo pothuajse kurrë” nuk lexonin për qejf, një rritje e konsiderueshme nga 8 për qind që thoshin të njëjtën gjë, afërsisht 35 vjet më parë. Duke qenë se koha e fëmijëve para ekranit u rrit gjithashtu ndjeshëm gjatë pandemisë, është e drejtë të konkludohet se leximi në kohën e lirë për fëmijët është një aktivitet, gjithnjë e më i rrezikuar të zhduket.

Për ne që kemi lexuar gjithë jetën – që i vlerësojmë netët e kaluara në dhoma të mbushura me kulla librash; ne që mbajmë ne mendje, sikur t’i kishim miq, idetë dhe personazhet që kemi koleksionuar ndër vite nga faqet e shtypura – përcjellja e rëndësisë së leximit tek fëmijët, nuk duhet të jetë e vështirë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se leximi forcon strukturën e mënyrës si e përjetojmë jetën, çdo ditë. Megjithatë, unë e pata çuditërisht të vështirë t’ia komunikoja këto vajzës sime, e cila ngurronte të lexonte. Ajo më pohoi se nuk i pëlqente leximi. Për më tepër, as nuk i interesonte që t’i pëlqente. Dhe nuk e shihte asnjë prej këtyre, si problem. Shumë prej shoqeve të saj, më shpjegoi, thjesht “nuk ua ndjente” për leximin. Kuptova që nëse doja t’ia komunikoja fëmijës tim gëzimin e leximit, duhej të sqaroja se çfarë gëzimi ishte ky, për veten time.

Lexo po ashtu:  Pse kuajt flenë në këmbë?

Sigurisht, fakti që i bleva një telefon inteligjent vitin e kaluar – një iPhone i dorës së dytë me një milion kontrolle prindërore dhe kufizime kohore – është pjesë e problemit. Përpara telefonit, kisha një fëmijë që ishte shumë e shoqërueshme, që klithte me kënaqësi edhe për gjëra shumë të thjeshta, si fjala vjen, një ëmbëlsirë e sapobërë që ftohej në frigorifer. Pasi i dhashë telefonin, kisha tashmë një vajzë që komunikonte vetëm me fjalë njërrokëshe, e cila donte vetëm të rrinte në dhomën e saj me perdet e ulura, me derën mbyllur, nën jorgan, duke e mbajtur fort në pëllëmbë atë pajisje të vogël drejtkëndëshe, a thua po ta lëshonte, do i zhdukte krejt jetën e vet sociale. Po të mos ishte duke u marrë me shoqet, ose me telefonin, për çdo gjë tjetër kishte veç një fjalë: “Boring!” (e mërzitshme).

A keni provuar ndonjëherë t’i kërkoni një 13-vjeçari, që ndodhet nën regjim disa orësh ndalimi përdorimi të celularit, që të nxjerrë setin e vjetër të lapëstilave? Apo që të merret me origami? Nëse nuk doni që t’ju bien flokët prej vështrimit gjithë inat, që del si rreze lazer nga sytë e adoleshentëve, mos e bëni!

Por mbajta një farë shprese tek leximi. Sepse mund të shihja që ajo çfarë vajza ime kërkonte, si shumë bashkëmoshatarë të tjerë, ishte “arratisja”. Dhe kjo më dukej e përshtatshme nga ana zhvillimore. Problemi ishte se mënyra më e kollajtë për të për të gjetur shpëtimin ishte të zhytej në kaosin e varësisë prej telefonit.

Lexo po ashtu:  Në suksesin e fëmijës më shumë ndikon edukimi sesa arsimi i mirë

Kështu që, bëra fushatë. I thashë se duhej të lexonte sepse romanet janë mënyra më e mirë për të mësuar se si funksionon brendia e njeriut. Ajo më tha se mund të mësonte më shumë nga shikimi i njerëzve që ndiqte në mediat sociale, të cilët sipas saj flisnin aty gjithçka që ndjenin së brendshmi.

I thashë se librat të ofrojnë RRËFIMIN. Ajo më tha: “Po Netflix”-i?

I thashë se librat të mësojnë historinë. Ajo më tha: “Po Interneti”?

I thashë se leximi do ta ndihmonte të kuptonte veten, dhe ajo ma ktheu: “Hmmm, jo ​​faleminderit. Thjesht do jetoj.”

I premtova, në mënyrë ekstravagante, se do t’i blija të gjitha librat që donte dhe do të ndërtoja rafte librash në dhomën e saj, në mënyrë që ajo të mund të shihte kolonat e të gjithë librave që donte nga shtrati i vet. Ajo ma ktheu: “Mami, mirë se erdhe në ëndrrën tënde!”

Kuptova se nuk mund t’i fitoja debatet me të, sepse vetëm pak prej argumenteve të vajzës sime kundër leximit, më dukeshin të gabuara. Po, leximi është një mënyrë për të zgjeruar universin dhe për të zbuluar botë të reja – por kështu është i gjithë interneti. Kështu që këto debate, të cilat na bezdisnin të dyjave, do të reduktoheshin pashmangshmërisht në dërdëllitjet e mia për aftësitë njohëse dhe se si “leximi është i mirë për ty”.

Kjo nuk është arsyeja pse doja që ime bijë të kapte një libër. Nuk kishte të bënte me optimizimin e funksionit të trurit të saj, por se doja t’i bëja të qartë se ishte duke humbur përjetimin e një magjie. E keni parasysh atë momentin, kur një shkrimtar përmbledh një ndjenjë që ti as nuk e dije që e kishe dhe, menjëherë të ndizen 100 llamba që të ndriçojnë brenda kokës, si në një lloj epifanie? Doja që ajo të kishte një shans për ta përjetuar këtë. Siç shkruante Neil Postman në vitin 1982 tek “Zhdukja e fëmijërisë”, një medium i bazuar në ekran, siç është TV apo video nuk mund të krijojë këtë lloj marrëdhënieje sepse, për nga vetë natyra e tij, mediumi duhet të plotësojë të gjitha boshllëqet tuaja. Librat lënë hapësirë ​​për boshllëqe – dhe për krijimet e brendshme që ata mund të frymëzojnë.

Lexo po ashtu:  Si ndryshon jeta jonë pas vdekjes së prindërve?

Kështu që vendosa të ndërpres të gjitha arsyetimet me një praktikë të ftohtë dhe të vështirë: paratë! I thashë 12-vjeçares sime se do t’i paguaja 100 dollarë nëse do të lexonte një roman.

Ajo tha: “Çfarë? Vërtet?”

Pastaj, sigurisht, që tha po.

Diskutova me miq që kanë fëmijë adoleshentë, se cili libër do të funksiononte për të ndezur dëshirën e saj për të lexuar. Ndërsa disa prej tyre, për habinë time, më sugjeruan tituj të tillë si “Princi i vogël” dhe “Lartësitë e stuhishme”, libri që më sugjeruan më shpesh njerëz që e njohin vajzën time ishte “Vera kur u bëra e bukur” i Jenny Han, i cili ishte shndërruar madhe në një serial të famshëm në Amazon Prime. Vajza ime e kishte parë dhe e donte.

Unë ndërmjetësova ujdinë mes nesh: 100 dollarë nëse e përfundonte librin brenda një muaji. Më pas u nisëm për pushime në plazh, së bashku me të dashurin tim, në një ishull romantik grek.

Pushimet zgjatën tetë ditë dhe para se të mbaronte dita e shtatë, ime bijë e kishte mbaruar librin. Kur u kthyem në shtëpi, ajo kërkoi vazhdimin, të cilin e përfundoi për rreth dy javë – pa asnjë pagesë shtesë.

A do të çojë kjo time bijë drejt leximit të librit “Gra të vogla”? Të përpijë “Kapëse në thekër ” apo “Dhëmbë të Bardhë”? A do të rezultojë në një jetë të gjatë të mbushur me lexime, me pirgje librash, të cilët do t’i shohë si miq, mësues, stimulues dhe balsam për çfarëdo halli?

Nuk e di. Ajo që di është se vajza ime tani ka artikuj të rinj të blerë tek Sephora, me vlerë 100 dollarë, të cilat vitin e kaluar kisha refuzuar t’ia blija. Di gjithashtu se së bashku, më në fund hapëm një portë të re për të, drejt faqeve të shtypura: një vend i qetë personal, që imagjinoj – shpresoj – do t’i shërbejë asaj për gjithë jetën. Kam ndjesinë se është 100 më i mirëshpenzuar. / The New York Times/