Gjendja e fëmijëve në Kosovë është rënduar edhe më tej pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në Kosovë.

Shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime sociale, ndërkaq shumë të tjerë po shfrytëzohen për punë të rënda, e në raste të tjera edhe po trafikohen. Niveli lokal nuk e ka prioritet një gjë të tillë, ndonëse edhe buxheti që ndahet, nuk mjafton as për subvencionim.

Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ku KOMF ka publikuar raportin e monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, fëmijët në këtë ditë ndërkombëtare janë në gjendje edhe më të rëndë.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbime. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punët e renda po abuzohen dhe po janë pre e trafikimit. Fëmijët nuk po trajtohen me prioritet as nga qeveria e komunat. Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është aprovuar me 29 qershor vitin e kaluar. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi ne korrik. Investimi në fëmijë është i domosdoshëm, në Kosovë gjendja sociale është rënduar. Pikët e dobët mbesin shërbimet sociale sidomos për fëmijët”, tha Kelmendi.

Lexo po ashtu:  Escobar: 2 janë kushtet e SHBA për nismën “Ballkani i hapur”

Bukureza Surdulli nga KOMF tha se për këtë raport kanë monituar 7 komuna të Kosovës.

Sipas saj, për shkak të mos implementimit të procesit të decentralizimit, në ministrinë e punës shumë persona mbesin pa shërbime.

“Mos vullneti politik nga niveli qendror dhe lokal, dhe kështu nuk është implementuar procesi i decentralizimit. Komunat nuk ndajnë buxhet për shërbime sociale. Deri më tani nuk është bërë postimi i shërbimeve sociale, kur ndahet buxheti nuk dihet se sa do të jetë shuma në bazë të nevojave. Sa i përket buxhetit të ndarë nga komunat, ndajnë disa fonde ne formë të subvencioneve për OJQ-të që këto shuma janë të pakta dhe nuk mjaftojnë”, tha Surdulli.

KOMF vlerëson se duhet të fuqizohet komunat dhe qendrat sociale dhe se niveli lokal duhet të ketë persona të profilizuar të cilët merret vetëm me qendrat sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *