Papa Françesku pati sot një takim historik me klerikun e lartë shiit të Irakut, Ajatollahun e Madh Ali al-Sistani, një thirrje e fuqishme për bashkëjetesë në vendin e rrënuar nga sektarizmi dhe dhuna.

Takimi i Papës në qytetin e shenjtë jugor të Naxhafit, gjatë turneut të tij të shpejtë dhe të rrezikshëm në Irak, shënoi herën e parë që një udhëheqës i kishës katolike takohej me një klerik kaq të lartë shi’it.

Papa ka vizituar disa vende kryesisht myslimane, duke përfshirë Turqinë, Jordaninë, Egjiptin, Bangladeshin, Azerbajxhanin, Emiratet e Bashkuara dhe territoret palestineze, duke i përdorur këto udhëtime si thirrje për dialog ndërfetar.

Sistani është një nga figurat më të rëndësishme në Islamin shiit, si brenda Irakut ashtu edhe më gjerë.

Ai ka një ndikim të madh mbi politikën. Thirrjet e tij bënë që irakianët të merrnin pjesë për herë të parë në votime të lira në vitin 2005, mobilizuan qindra mijëra njerëz për të luftuar Shtetin Islamik në vitin 2014 dhe rrëzuan qeverinë irakiane nën presionin e demonstratave masive në vitin 2019.

Lexo po ashtu:  Kryetari serb, Vuçiç: Nuk ka Asociacion derisa Kurti të jetë në pushtet

Sistani, 90 vjeçar, rrallë bën takime dhe ka refuzuar bisedimet me kryeministrat aktualë. Ai ra dakord të takohej me Papën me kusht që asnjë zyrtar irakian të mos ishte i pranishëm, tha një burim nga zyra e presidentit.

Takimi me Papën u zhvillua në shtëpinë modeste të Sistanit, ku ai banon me qira prej dekadash, në një rrugicë të ngushtë të qytetit Naxhaf.

Papa Françesku e filloi të premten udhëtimin e tij, më i rrezikshmi deri tani. Ai arriti në Irak me avion mes masave më të rrepta të sigurisë të marra ndonjëherë gjatë një vizitë papale.

Synimi i vizitës është t’u bëjë thirrje udhëheqësve të vendit dhe popullatës për t’i dhënë fund dhunës militante dhe grindjeve fetare.

Siguria e Irakut është përmirësuar që nga disfata e Shtetit Islamik në vitin 2017, por vendi vazhdon të jetë një skenë dhune, veçanërisht i rivalitetit të ashpër mes SHBA dhe Iranit, që është pasqyruar në tokën irakiane. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *