Para 23 viteve ishim të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë.

Ishim studentë të një universiteti që konsiderohej paralel e i krijuar nga shqiptarët, të cilëve arsimi i lartë nuk u lejohej në Kosovë.

Mësimin e mbanim në shtëpi të njerëzve zemërgjerë që i kishin lëshuar përkohësisht ato për ne. Aktivitete jashtë universitare pothuajse nuk kishte fare. E ato pak aktivitete që i kishim, ishin të kufizuara nga orët policore apo patrullat e policëve. Te fytyrat e prindërve tanë shihnim një brengë të pafundme për të ardhmen tonë të pasigurt.

Gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apart’heidit.

Por pavarësisht këtyre rrethanave, ne kishim dëshirë të madhe për mësim e lexim. Kishim vullnetin e shkëlqimin rinor të cilat na shtynë që të përpiqemi për liri, të bëjmë rezistencë aktive e ta marrim vëmendjen e botës më 1 tetor 1997.
Që atëherë, çdo 1 tetor kujtojmë ditën kur 20 mijë studentë në Kosovë të veshur në të bardha, me parulla si “Merrni frymë sikur ne”, “Lirim i pakusht i objekteve universitare!” dhe “E nesërmja flet sot, nesër vonë!” marshuan për të kërkuar lirimin e ndërtesave dhe hapsirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb.

Lexo po ashtu:  Gjenerali rus demanton presidentin: Putin gënjen, s’u pyet a të hyjmë në Kosovë - ja kush dha urdhër

Çdo 1 tetor përkujtojmë intelektualin që na priu në protestat e 1997-s, rektorin e Universitetit dhe akademikun e rezistencës që asnjëherë nuk u zmbraps, Prof. Ejup Statovcin.

Çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *