Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka tremë takimit të nesërm (4 maj) në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe se nuk pret bisedë të lehtë.

Vuçiq nesër do të udhëtojë për në Berlin, ku do të takohet me kancelarin gjerman Scholz. Ndërsa, sipas mediave serbe, kur u pyet nga gazetarët se çfarë pret nga takimi i nesërm, Vuçiqi ka thënë se ka tremë dhe se i frikësohet bisedës me kancelarin gjerman.

“Kjo do të thotë se, nëse asgjë tjetër, unë do të performoj në mënyrë shumë të përgjegjshme. Sigurisht që nuk pres një bisedë të lehtë”, tha Vuçiq në një deklaratë për gazetarët në Aleksandropolis të Greqisë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka ftuar në Berlin Vuçiqin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në bisedime të ndara, më 4 maj.

Siç është njoftuar në zyrën e kancelarit Scholz, në bisedime do të marrë pjesë edhe i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Lexo po ashtu:  Rusia dhe Turqia arrijnë armëpushim për Idlibin. Ankaraja shton trupat, por vetëm me mision monitorues

Lajçak pritet të zhvillojë edhe një takim të përbashkët me Kurtin dhe Vuçiqin.

Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiq që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.

Dy vendet janë të angazhuara në këtë dialog qysh në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje.

Megjithatë, shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Gjatë qëndrimit në Greqi, Vuçiq u pyet edhe për sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, por nuk tha se çfarë qëndrimi do të marrë Serbia për këtë çështje.

Serbia, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë.

Më 21 prill, Vuçiq ka thënë se, pavarësisht presioneve, Serbia nuk do t’i rrezikojë interesat e saj kombëtare, duke sanksionuar Rusinë.

Lexo po ashtu:  Kryeministrit Kurti ambasadorit të BE-së: Beogradi po tregohet destruktiv, të mos legjitimohet nga BE-ja

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar disa herë Serbisë që t’i harmonizojë politikat e saj me bllokun evropian – ku synon të anëtarësohet – dhe ta sanksionojë Rusinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *