nga Nuri Plaku

Libri i ri “Ndjesia e Aromave” i poetes dhe gazetares Arjola Kondakçiu, është një prurje e ndjerë analitike ku përfshihen: reçensione për vëllimet me zhanre të ndryshme letrare, botime historiko – arkeologjike, arte figurative dhe një mozaik me prozë të shkurtër. Në përmbajtjen e tij të larmishme shfaqen mendime, konsiderata dhe interpretime dinjitoze, parë nga një këndvështrim krejt origjinal.

Të gjitha këto përcillen tek lexuesi nëpërmjet një komunikimi të hapur e të çiltër shpirtëror. Autorja, për gjithçka që trajton e mediton, përkushtohet me ndjenjë artistike, dashuri për punën e respekt për krijuesit. Veçanërisht “dashuria” është filli i kuq që përshkon tej e mbanë këtë libër. “Bota është bërë e përsosur nëpërmjet dashurisë”- thoshte Niçe.

Pikërisht nëpërmjet kësaj dashurie veprat e analizuara në librin e Arjolës na vijnë edhe më të bukura nga vetë bukuria e tyre. Kjo përbën një nga vlerat më të rëndësishme të këtij libri, e njëherazi edhe më interesante për lexuesin.

Për çdo libër që trajton, autorja përkushtohet të analizojë e vlerësojë përmbajtjen e tij në mënyrë të shpenguar, duke u bërë njëherazi edhe pjesë e tij krijuese. Ky element është një “postkrijim” i cili shërben si një igranazh për ta vënë veprën në lëvizje kohore e për ta sjellë në realitetet e reja pas botimit të saj. Kjo duket që në fillim tek analiza e fletëzave të librit poetik të shkrimtarit NOE. Ajo e nis shkrimin me një përshtypje befasuese dhe krejt të rastësishme të përjetuar në plazh, kur blen tek një shitës ambulant një kaush me fara luledielli. Teksa fillon të përtypë farat e para, vështron instiktivisht tekstin e kaushit, i cili përmban dy vargje poetike tunduese të një poeti të panjohur për të. Kaq mjafton dhe “urori” fillon të shkrepë xixat e para të frymëzimit. Pikërisht këtu fillon edhe “postkrijimi” i cili i ngjan një intrige të mbushur me jetë e domethënie proverbiale.

Lexo po ashtu:  Dedikuar asaj që i dha gjithçka nga vetja mashkullit të gabuar!

Natyrshëm tek autorja bëhet edhe dublimi i shijeve të saj: leximit të materialit në kaushin e lulediellit dhe vetë farave të lulediellit që mban kaushi i blerë. Kjo të kujton thënien e “verës së shishes e shishes së verës” me të cilën krijon edhe një paralel të dukshëm. Ashtu si shishja e verës të jep kënaqësi estetike në bazë të formës dhe etiketës së saj të reklamës, po kështu edhe kaushi i letrës të jep shije poetike nëpërmjet tekstit që mbart. Dhe autorja “luan” letrarisht me këtë fakt duke i dhënë atij rëndësinë e një “postkrijimi”, i cili përmban në vetvete një domethënie të madhe për kohën.

Nëpërmjet tij, autorja “shkarkon” te lexuesi dramën e madhe të fatit të zi të librit poetik, i cili në vend të shkojë në bibliotekat dhe lexuesit, katandiset të shërbejë tek shitësit ambulant për kaush farash luledielli. Ky element i futur në trajtesën kritike të poezisë, i tejkalon kufijtë e analizës së thjeshtë të një vepre, dhe kalon nga përmbajtja e saj në përmbajtjen e realitetit të sotëm shoqëror. Kjo përbën një karakteristikë të veçantë e të dallueshme të trajtesave letrare të A. Kondakçiut, të këndvështrimit të saj mbi vepra e autorë . “Këndo qoftë dhe me zërin e bretkosës” – thoshte Esenini, – mjafton të kesh zërin tënd.” Kjo lidhet me stilin e me individualitetin krijues, dhe si e tillë merr peshë të rëndësishme në biografinë krijuese të një autori, si në këtë rast. Dhe, duke dalë te stili i të shkruarit, mendoj se formimi i tij tek Arjola Kondakçiu vjen natyrshëm e i besueshëm.

Lexo po ashtu:  5 shenjat që tregojnë se keni një karakter aq të fortë sa i "fusni frikën" të gjithëve

Një veçori tjetër e këtij libri është edhe referenca e krijuesve të rinj. Autorja shpreh respekt për autorët e fillimit të rrugës letrare dhe ndërkohë i inkurajon edhe me besimin e saj për të ardhmen e tyre, ç’ka konfirmohet edhe nga vetë angazhimi i saj me këtë krijimtari.
Krahas materialit letrar, një vend të veçantë zënë edhe reçensionet e shkruara për libra historikë. Ky tipar duhet konsideruar një risi, për faktin se përzgjedhjet profesionale të kritikëve synojnë vetëm “kaushët” e gjinive të përcaktuara. Por pikërisht kjo thyerje e kornizave të tilla hap shtigje të reja për lexuesin, dhe “fryn” në libër si një fllad i freskët e shlodhës. Sot në historinë botërore, edhe vetë librat e historisë po synohet të shkruhen me elementë intimë nga jeta e personazheve, për ta bërë më joshës për lexuesin.

Libri mbyllet me disa skica të shkurtra letrare, të cilat janë “orkidetë” e çelura në pranverën e përheshme të këtij libri. Ato janë secila nga një rrjedhëz e vrullshme emotive, që shprehin vështrimin poetik të autores. “Të vështrosh, do të thotë të mbjellësh”, – thoshte poeti Oktavio Paz. Parë në këtë fokus, edhe Arjola Kondakçiu po mbjell gjurmët e saj të reja në kulturën letrare shqiptare. Uroj që ky libër, të jetë një gjurmë e pashlyeshme e punës dhe e mundit të saj shpirtëror!

Lexo po ashtu:  Lindje natyrale apo me prerje cezariane?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *