Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës ka thënë se ende mungon drejtësia dhe e vërteta për të pagjeturit, mungon ngushëllimi për familjet dhe gjykimet e dënimet për fajtorët.

Kurti, përmes një postimi në Facebook,  thotë se përderisa në Bruksel është diskutuar edhe për çështje të brendshme të Kosovës, fati i të pagjeturve asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur.

Kreu i VV-së u shpreh se në vend se të rritet presioni ndaj Serbisë përgjegjëse për këto krime mizore, pushtetarët e Kosovës luajnë me dhimbjen e pakufishme e mallin e padurimtë për të pagjeturit.

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

“20 vjet më vonë ne ende nuk e dimë ku janë 1652 njerëz, e çfarë ka ndodhur me ta. E vërteta duhet të gjendet duke u kërkuar përgjegjësia e fajësia. Sot e kësaj dite në Serbi po qeverisin bashkëpunëtorët e atij regjimi kriminal e shovinist, të cilët në vend se të kërkojnë falje për krimet e të tregojnë ku janë të pagjeturit tanë, vazhdojnë të sabotojnë Kosovën, përmes Listës Serbe që kërcënon çdo serb të Kosovës dhe mban peng Kosovën, dhe përmes partnerëve shqiptarë, të cilët të verbuar nga hajnia, shkatërrojnë vendin e tyre.

Sot, 27 prilli, është dita e të pagjeturve. Sot, mbushen dy dekada pas luftës, para e gjatë së cilës bashkatdhetarët tanë u zhdukën. Heshtja institucionale dhe ankthi s’merr fund për familjarët e të pagjeturve që çdo ditë presin ndonjë lajm për ta. Mungon drejtësia dhe e vërteta për të pagjeturit, mungon ngushëllimi për familjet, mungojnë gjykimet e dënimet për fajtorët. Në të kalurën, disa herë gjatë vitit, ktheheshin nga Serbia dhjetëra thasë me numra që përmbanin nga një grumbull jo të plotë të eshtrave. Sot kjo nuk po ndodh më. Sepse sot ka ngecur gjithçka sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Përderisa në Bruksel është diskutuar edhe për çështje të brendshme të Kosovës, fati i të pagjeturve asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë deri tash është zhvilluar duke harruar historinë që e përjetuam. Në vend se të rritet presioni ndaj Serbisë përgjegjëse për këto krime mizore, pushtetarët e Kosovës luajnë me dhimbjen e pakufishme e mallin e padurimtë për të pagjeturit. Ata kanë përgjegjësinë për të bërë më shumë për këtë çështje, sepse një e kaluar e tillë nuk mund të jetë një e kaluar për shoqërinë tonë”, ka shkruar Kurti. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lexo po ashtu:  Kurti: E njoftova Borrellin, Qeveria e re merr drejtim javën që vjen

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *