Debati mbi besueshmërinë e mediave dhe ndikimin e platformave sociale ka marrë një dimension të ri pas komenteve të fundit të Elon Musk mbi Norvegjinë dhe median nordike.

Musk, përmes një postimi në X, vuri në dyshim besimin e lartë që norvegjezët kanë tek mediat tradicionale, duke sugjeruar se informacioni i vërtetë mund të gjendet në rrjetin e tij social. Këto deklarata kanë nxitur reagime të forta, veçanërisht nga drejtori ekzekutiv i Amedia, Anders Opdahl, i cili kundërshton pikëpamjet e Musk dhe mbron modelin mediatik nordik. Në këtë artikull, shohim se si Opdahl e sfidon Muskun dhe argumenton rëndësinë e gazetarisë së verifikuar, përkundrejt epokës së algoritmeve dhe ekonomisë së klikimeve, shkruan MekuliPress.

Kush është Amedia?

Amedia është një nga shtëpitë botuese më të mëdha të gazetave lokale dhe rajonale në Norvegji. Kompania menaxhon dhe boton mbi 70 gazeta dhe platforma dixhitale, duke u fokusuar kryesisht në gazetari lokale dhe përmbajtje të besueshme për komunitetet norvegjeze. Amedia ofron gjithashtu shërbime dixhitale të abonimit dhe ka një model biznesi të bazuar në gazetarinë e pavarur dhe të verifikuar.

Nëpërmjet platformave të saj, Amedia synon të mbrojë gazetarinë cilësore dhe të sigurojë që informacioni i saktë dhe i balancuar të jetë i disponueshëm për qytetarët norvegjezë, përkundër ndikimit të rrjeteve sociale dhe algoritmeve të medias dixhitale.

Më poshtë, të përkthyer nga MekuliPress, lexoni reagimin e drejtorit ekzekutiv të Amedia, Anders Opdahl, i cili i kundërshton pikpamjet destruktive të Musk:

Kundërpërgjigjet ndaj Elon Musk: – Ndihem i zhgënjyer

Lexo po ashtu:  Pas Europës edhe Australia ka vendosur sanksione ndaj lajmit të rremë dhe propagandës ruse. E shqiptarët çbëjnë?

Drejtori ekzekutiv i Amedia, Anders Opdahl, kundërshton Elon Musk pas një postimi në X.

Të dielën, Elon Musk shpërndau një postim në X, ku kritikonte Norvegjinë.

Postimi përmban një listë të dhjetë vendeve kryesore në Evropë, ku shumica e njerëzve besojnë në atë që raportojnë mediat.

Norvegjia kryeson listën me 73% besueshmëri.

Në postimin e tij, Musk shkruan:

– Dërgojuni miqve tuaj lidhje të postimeve në X, që ata të dinë se çfarë po ndodh në të vërtetë.

“I zhgënjyer”

Drejtori ekzekutiv i Amedia, Anders Opdahl, beson se Musk po përpiqet t’i imponojë probleme amerikane vendeve nordike dhe e cilëson këtë si plotësisht të pabazuar.

– Musk e kupton modelin shoqëror nordik, demokracinë dhe kulturën po aq sa unë kuptoj se si ndërtohen raketat. Ndihem i zhgënjyer, tha Opdahl për Nettavisen.

Opdahl thekson se shtypi norvegjez gëzon një nivel të lartë besimi sepse ka ruajtur një strukturë të fortë që mbështet gazetarinë cilësore – diçka që sipas tij, amerikanët nuk kanë arritur ta bëjnë.

Lexo po ashtu:  Cilat media serbe përhapin propagandën e Putinit dhe Vuçiqit sipas të dhënave të BE-së

– Jemi në një vend ku gazetarët janë sytë dhe veshët e shoqërisë, duke punuar çdo ditë për të përmbushur një mision publik. Gazetarët norvegjezë sigurojnë që të gjithë të kenë mundësinë të marrin pjesë në debatin shoqëror, ku të gjithë kanë të njëjtën vlerë. Kjo përfaqëson diçka krejt ndryshe nga ekonomia e klikimeve që dominon në SHBA.

Mendimi i tij për X: Vetëm ‘likes’ dhe algoritme

Sipas Opdahl, platforma X funksionon duke promovuar vetëm më të fortët, ndërsa në median norvegjeze synohet të krijohet një hapësirë ku dëgjohen të gjithë – si të fortët, ashtu edhe të dobëtit.

– Kjo është diçka krejt ndryshe nga ajo që përfaqëson X. Atje gjithçka bazohet në numrin e pëlqimeve dhe mënyrën se si funksionojnë algoritmet. Aty ka rëndësi vetëm të jesh “cool” ose të thuash gjëra provokuese apo qesharake.

Opdahl vazhdon:

– Kjo është ajo që e bën këtë situatë kaq zhgënjyese. Nëse thua dhe bërtet diçka mjaftueshëm shumë herë, gjithmonë do të ketë disa njerëz që nuk e kuptojnë kontekstin dhe do ta besojnë atë si të vërtetë.

Lexo po ashtu:  Albin Kurti s’i ka marrë çelësat e shkollave në Japoni

Redaktorët ndërtojnë besimin

Musk dëshiron që njerëzit të përdorin X për të lexuar lajmet dhe jo mediat tradicionale të drejtuara nga redaktorët. Por Opdahl i tha Nettavisen se roli i gazetarëve është të kërkojnë të vërtetën dhe se, ndryshe nga X, ata ndjekin rregulla etike dhe kanë redaktorë që ndihmojnë në ndërtimin e besimit.

– Të kesh një redaktor që mban përgjegjësi për vlerësimin dhe verifikimin e lajmeve është thelbësore për ndërtimin e besimit.

Opdahl thekson se redaktorët janë përgjegjës për atë që publikohet në mediat norvegjeze dhe se ata mbahen përgjegjës për vendimet e tyre, qoftë për mirë apo për keq.

– Në rrjetet sociale kjo nuk ndodh. Të kesh redaktorë të fortë, të cilët kanë për detyrë të ruajnë integritetin e institucioneve mediatike, është jashtëzakonisht e rëndësishme. /Nettavisen/ Përktheu nga norvegjishtja MekuliPress/