Testimi i shumëpritur gjigantit ndërkombëtar “Shell”, në pusin e Shpiragut, konfirmoi zyrtarisht potencialin e prurjeve të naftës në këtë zonë, në rendin e disa mijëra fuçive në ditë.

Përmes një njoftimi zyrtar të shpërndarë edhe në mediat ndërkombëtare, Shell deklaroi se volumi i saktë i rezervave të naftës, që gjenden në vendburim, dhe ato që mund të prodhohen, do të përcaktohet përmes vlerësimeve të tjera gjatë muajve në vijim.

Pusi i Shpiragut gjendet në afërsi të Beratit dhe është pjesë e bllokut 2 dhe 3. Për herë të parë prezenca e naftës në këtë zonë u diktua në vitin 2013. Që nga ajo kohë “Shell” ka vazhduar kërkimet dhe vlerësimin e nëntokës, për të konfirmuar përfundimisht gjetjen e naftës.

Tashmë pas 6 vitesh kërkime, kompania ka kryer testimin e parë zyrtar, i cili ka konfirmuar pritshmëritë se vendburimi i Shpiragut ka potencial, për prodhim nafte në rendin e disa mijëra fuçive në ditë. Ky testim, i cili do të pasohet nga disa të tjera gjatë muajve në vijim, e çon Shqipërinë më pranë zbulimit të një vendburimi të madh nafte.

Lexo po ashtu:  Duhet të ketë një kufi për qurravitjet diplomatike të Serbisë

Herën e fundit që në Shqipëri është zbuluar nafte ishte viti 1998 në vendburimin e Panajasë. Që nga ajo kohë në Shqipëri kanë kryer kërkime shumë kompani të njohura ndërkombëtare, por asnjëra nuk ka arritur të zbulojë naftë. Por kjo mund të ndryshojë shumë shpejt, teksa “Shell” duket e bindur se pusi i Shpiragut është një vendburim i rëndësishëm nafte, që mund të garantojë prodhimin e mijëra fuçive në ditë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *