Bajram Mjeku

Nanë. Nga Prishtina u nisa me trenin e orës 7:50
se si më guduliste treni derisa notonte mbi shina,
më zuri gjumi si moti kur më përkundje në djep.

Përgjumshëm zbrita i vetmuar në stacion.
Zot i madh sa e rëndë është vetmia,
e frikshme si varka e vetmuar mbi liqen,
prandaj nuk betoheshe kot; pasha natën e vorrit
betimi ishte vula jote, besimi yt i shenjtë.

Derisa avitesha ngat vorrit tënd
e këpucët më kërcisnin mbi borën e ngrirë,
i lumi Zot dërgoi një trumbë zogjsh
cicërimat e tyre mbi pemët ku pushon,
me grimca ofshamësh krijuan një baladë.

Kësaj radhe të solla vetëm trëndafila
i doje shumë, po në dimër s’ka lule xheneti
fol veç një herë siç flet nana me djalin
dëshmitar midis nesh është veç Zoti.

Pikëllimin e vara mbi degën e lisit
lotët e tij vrujshëm qirinj akulli u bënë
pastaj ra heshtja mortore e pushuan zogjt
pushuan dhimbjet, fjollat e borës, pushoi gjithçka
çdo gjë mori pamjen e natës pa hënë.

Nanë. Erdhi koha të kthehem me trenin e orës 13:45.
Ti bëje shëtitjen e zakonshme në kopshtin e xhenetit
midis krojeve ujëftohtë e trëndafilave të bardhë
pasha natën e vorrit e shpirtin tënd të shenjtë,
te vorri yt unë prapë kam me ardhë. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Lexo po ashtu:  Libri i ri i Shaban Muratit “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, një libër busull për diplomacinë e detit

Prishtinë, janar ‘19

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *