Ish-kryeministri i Australisë, John Howard, ndezi polemika me deklaratën e tij, pak para një referendumi, i cili synon t’i japë popullatës indigjene më shumë zë.

Howard, i cili shërbeu si kryeministër i Australisë nga viti 1996 deri në 2007, tha se kolonizimi britanik ishte “gjëja më me fat që i ndodhi” vendit.

“Unë kam mendimin se gjëja më me fat që i ndodhi këtij vendi ishte kolonizimi nga britanikët“, tha Howard, në një intervistë të botuar nga gazeta “Australian”, të cilës i referohet New York Times. Ai shtoi se sundimi britanik mbi Australinë nuk ishte “i përsosur”, por se ata “ishin kolonizatorë shumë më të suksesshëm dhe më të mirë se vendet e tjera evropiane“.

Komentet e Howard vijnë përpara referendumit “Zëri indigjen për Parlamentin”, që do të mbahet midis tetorit dhe dhjetorit. Nëse ka mbështetje, atëherë do të ndryshohet kushtetuta e Australisë për t’u dhënë indigjenëve një zë më të fortë për ligjet dhe politikat që i prekin ata.

Lexo po ashtu:  Zbulimi i madh nga NASA: Ka ujë në sipërfaqen e Hënës

Howard, i cili tha se vetë do të votojë ‘jo’, parashikom gjithashtu se referendumi do të dështojë dhe paralajmëroi se ai mund të krijojë një konflikt të ri, pasi lidhet me politikat që përfshijnë popullsinë aborigjene.

Ata që kanë iniciuar referendumin dhe me anë të tij synojnë amendimin e Kushtetutës, thonë se falë kësaj do të ketë të drejta dhe mbrojtje më të madhe për popullsinë aborigjene në ligjin australian. Aktualisht, komunitetet aborigjene të Australisë kanë jetëgjatësi më të ulët në krahasim me të tjerët, me rezultate në mënyrë disproporcionale më të ulëta shëndetësore dhe arsimore.

Referendumi është i pari në Australi që nga viti 1999 dhe nëse ka sukses do të ndryshojë ligjin themeltar të shtetit për herë të parë në 46 vjet.

Kolonët britanikë e krijuan Australinë si një koloni penale të qeverisur nga Marina Mbretërore në 1788 dhe sunduan në atë territor deri në vitin 1901 kur parlamenti britanik miratoi ligjin që u jepte të drejtë kolonive australiane të vetëqeveriseshin kolektivisht. Mbreti Charles III mbetet kreu i shtetit australian.

Lexo po ashtu:  Shteti në SPAM

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *