Momentet më të rëndësishme të jetës së aktorit gjenial Aleksandër Moisiu në 44 foto të printuara në kanavacë janë bërë publike për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog përmes një ekspozite të organizuar dhe kuruar nga Pjetër Logoreci. Për herë të parë, mbrëmjen e së enjtes, publiku është njohur me objekte si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë.

Ekspozita është realizuar me foto dhe dokumente të panjohura mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7-vjeçare. 44 foto tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Kjo ekspozitë u çel edhe një vit më parë në Shkodër, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe bashkisë së qytetit. Në ekspozitën e mbrëmshme morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, presidenti Alfred Moisiu dhe personalitetet e tjera të artit e kulturës.

Lexo po ashtu:  Zakonet e çuditshme të shkrimtarëve e mëdhenj

“Më vjen mirë që më vjen mundësia që të jem këtu sot në një ekspozitë të munguar prej shumë kohës të një ikone të kultuërs shqiptare, falë ftesës tuaj, ftesë që i bëhet sot gjithsecilit nëpërmjet një cikli me 44 foto të pashfaqura ndonjëherë për jetën e Aleksandër Moisiut, Kjo është një ndjesi e bukur në jetën artisike. Nuk jam ekspert i jetës dhe veprës së Aleksandër Moisiut. Jam vetëm një dëshmitar i ikonës dhe imazhit të tij. Për një tekë të fatit Aleksandër Moisiu është aktori i parë që unë kam parë; jo të gjallë, në baltë në duart e babait tim (skulptor). Isha shumë i vogël dhe m’u fiksua pamja e aktorit. Dhe ajo pamje ishte shablloni që m’u dha për ta krahasuar më vonë me aktorë të gjallë, që të mund të bëja klasifikimin e përshtatshmërisë me këtë ikonë aktori. Është një personazh, që me gjithë bardhezinë e fotografive dhe filmave, ka shumë ngjyra”, tha kryeministri Rama, duke përmendur “kostumet e aq roleve të kurorës së aktorëve që iu dhanë atij dikur.” Kryeministri Rama, kujtoi disa nga momentet më të rëndësishme në shkëlqimin e karrierës së aktorit të madh me origjinë shqiptare.

Lexo po ashtu:  Më plak mërzitja që vetmia më sjell; përbuzja, urrejtja të gjith sendet m’i mbështjell, - nga Migjeni i pavdekshëm

Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste me 2 prill 1879 dhe vdiq në vitin 1935 në Vjenë, në moshën 56-vjeçare. E kishte lënë amanet që të varrosej në Markote të Zvicrës, afër qytetit Lugano. Aty është varrosur më vonë edhe bashkëshortja e tij Johana Tervin. Aleksandri, në moshën 19-vjeçare shkon në Vjenë, ku me ndihmën e Jozef Kainc ju përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si aktor në role të vogla në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt, me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Europës, Amerikës Veriore dhe në Argjentinë. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë” e të tjera. Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Luftës së Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 11 produksione të filmave, 9 prej tyre ishin filma pa zë, ndërsa dy ishin me zë. “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshëm”, i cili nëpërmes zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”, shkruante për të Stefan Cvajg. Ndërsa Franz Kafka shprehej se: “Moisiu është një artist të cilit “suksesi” i del nga koka, nga goja zëri i mrekullueshëm, nga sytë vështrimi që flet aq shumë”./javanews/
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lexo po ashtu:  Lenovo Legion 7i dhe 7i ulin çmimet e laptopëve të lojërave

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *