Nga Elvis Hoxha

Gjithnjë duhet ta përdorim një gjendje të dhënë si situatë mendimi:

1. Gjithkush duhet ta kuptojë se një borxh i krijuar ndaj Rusisë, e sidomos Rusisë së Putinit, do t’i kushtojë shtrenjtë… deri në ekzistencë shtetërore. Asnjëherë nuk duhet të jetojmë në një botë tregtie, pa patur më parë një botë të vetme parimi.

2. Mund të kritikohet drejtësia evropiane dhe ajo amerikane, sa të duam, mund të shqyrtohet dhe të vihet në dyshim në shumë pika cilësia e demokracisë perëndimore… por në asnjë rast kur diskutimi përfshin edhe Rusinë e Kinën. Rusia na propozon horizontin e bombës bërthamore, ndaj shqyrtimi në të njëjtin vend i demokracisë perëndimore është jo vetëm verbëri, por armiqësi ndaj njerëzores.  Kina bashkë me Rusinë na propozon një të përtejme tjetër, një të përtejme ku nuk dihet numri i skllevërve dhe as i të burgosurve politikë. Çdo tregti me këta shtete duhet të ishte parë që në fillim me shqetësim: rehabilitimi i tyre moral dhe politik prej liberalizimit të tregjeve.

Lexo po ashtu:  Ja porosia e Kryeministrit Kurti për Gernell-in

3. Çka na shpie në një pikë tjetër: homos economicus nuk mund të mbyllë plagët e njeriut politik. Para do kohësh, nisma e Ballkanit të Hapur, si dhe ajo e shkëmbimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë ishte e mbështetur nga Grenelli: deviza e tij ishte të zëvendësonim dallimin që krijonin krimet nga indiferenca e marrëdhënieve ekonomike. Malli nuk ka moral. Shumë mirë që në këto kohë të vështira Trumpi nuk është president i Amerikës, Grenelli nuk e ka më fuqinë t’i prishë punë Kosovës e të ndihmojë serbët, Skënder Hyseni dhe Agim Veliu nuk kanë më si t’i shërbejnë këtij të fundit.

4. Kur duam të kritikojmë natyrën imperiale të shteteve të fuqishëm, nuk duhet ta bëjmë me krahasim perandorish, lloji i Chomskyt, por duhet t’i referohemi të pafuqishmit që reziston. Na lipset të shquajmë rezistencën e Kosovës dhe Ukrainës, por jo të kritikojmë imperializmin amerikan duke e përdorur si argument të drejtën e Rusisë me qenë imperiale. Inteligjenca njerëzore ka për detyrë të mendojë një botë pa perandori, dhe jo mbetjen domosdoshmërisht perandorake të shoqërisë njerëzore.

Lexo po ashtu:  KURTI: JEMI TË KËNAQUR QË JEMI NË BALOTAZH, SYNOJMË TË FITOJMË KUDO

5. Qëkurse në lojë hyn gjuha e bombës bërthamore, njerëzimi nuk është bota e një gjuhe. Tashmë një shtet është kthyer në kamikaz për shkak të presidentit të vet despot dhe klanit të tij oligarko-mediatik. Një shtet që pretendon të jetë i madh është hedhur në fatalitetin e kamikazit. Një shtet kamikaz mund të ishte edhe Gjermania apo Japonia në Luftën e Dytë, por ja që asnjëri prej këtyre dy shteteve nuk e zotëronte cakun e shpërthimit bërthamor të planetit.

6. Çka na shpie në një pikë të rëndësishme lidhur me hipokrizinë e gjuhës politikisht korrekte. Sa më i madh shteti që vë në rrezik njerëzimin me aparatin e vet ushtarak, aq më fajtor është populli i tij. Sot populli rus, si dikur populli serb, apo si shumë më herët në histori populli gjerman, nuk mund të fshihet pas diktatorit, dhe as të thotë se nuk dinte. Gënjeshtra mediatike e aparatit shtetëror rus është aq e madhe, sa për të mos ditur duhet të duash. Duhet të duash të mos dish të vërtetën. Viktimat ruse po kthehen me mijëra në Rusi, nënat e Rusisë nuk mund të bëjën sikur nuk u janë vrarë bijtë.

Lexo po ashtu:  KQZ-ja vendos të asgjësojë materialet zgjedhore të vitit 2007 dhe 2009

7. Insitucionet ombrellë, shembulli i BE-së, nuk mund t’i ledhatojnë shtetet kërcënues dhe autoritarë duke përdorur interesat e shteteve më të dobët. Te këta të dobëtit qëndron më shumë mundësia e drejtësisë. Është mirë që organizmat federativë të mbështesin vendet nga ku buron drejtësia, sado të vegjël këta burime. Përndryshe rrezikojmë që një ditë të kemi në përdorim tubacione të mëdhenjë të një uji të ndotur ku do të mbyten vetë institucionet federues të shteteve demokratikë. Kjo pikë ka të bëjë me të gjitha sjelljet e ndërkombëtarëve që i bëjnë presion Kosovës sias interesave të Serbisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *