Nuk jemi shërbëtorë as të Rusisë e as të SHBA! Ishte ky mesazhi që përcolli nga salla më e rëndësishme në botë, në prani të udhëheqësve globalë, presidenti Serb Aleksandër Vuçiç. Ai drejtoi gishtin nga perëndimi, duke e akuzuar për standarde të dyfishta teksa mbështet integritetin territorial të Ukrainës,  por jo atë të Serbisë.

“Çdokush në botë flet për Ukrainën, por nuk guxon të flasin për Serbinë. Edhe nëse e bëjnë, thonë se ne do të nisim luftën në Ballkan me urdhër të Rusisë dhe kanë gënjyer për këtë gjatë gjithë kohës. Ne nuk jemi as shërbëtore të Rusisë dhe as të SHBA. Kemi interesat tona politike”, tha presidenti serb në OKB.

A2 shkruan se Vuciç përsëriti akuzat se Perëndimi shkeli kartën e OKB kur bombardoi ish-Jugosllavinë dhe rezolutën 1244, duke armatosur Kosovën në bazë ditore, edhe pse në të thuhet që të vetmet forca të armatosura në Kosovë janë ato të misionit paqeruajtës të NATO, KFOR.

Lexo po ashtu:  Publikohen emrat e dhunuesve në Veri. Kurti: Gabimin e Listës Serbe nuk ka pse e paguan Kosova

“Ata që kryen agresion kundër Serbisë, që tentuan të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se është zgjidhja e vetme demokratike dhe e arsyeshme, që ‘Kosova dhe Metohia’ të shkëputet nga Serbia. Ata i kanë dhënë armë në baza ditore të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që nesër do të bëhen Forcat e Armatosura shqiptare në territorin e Serbisë”, theksoi Vuçiç.

Në fjalimin e tij, Vuçiç u ankua edhe për ndalimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave në Kosovë, mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë, që tha se vë në rrezik “jetën e serbëve dhe popullatës tjetër joshqiptare”, por edhe ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, përfshirë të patriarkut serb.

“Si mundtë ketë paqe në Kosovë kur rendi juridik dhe të drejtat themelore të një kombi të tërë minohen në mënyrë sistematike”, pyet Vuçiç, që megjithatë thekson se mbetet i përkushtuar për paqe e dialog.