Përfaqesuesja e Kosovës do të grumbullohet sot në Prishtinë për t’i nisur përgatitjet për hapjen e fushatës së dytë kualifikuese për një Kampionat Evropian.

Verdhekaltrit do t’i fillojnë kualifikimet me një përballje me rivalin e drejtpërdrejt për vendin e dytë në Grupin I, Izraelin, të shtunën më 25 mars në Tel Aviv.

Tri ditë më vonë, ata e presin në kryeqytet përfaqësuesen më pak favorite, Andorrën, të martën më 28 mars.

Trajneri Alain Giresse i ka thirrur plot 26 futbollistë për këto dy ndeshje, përfshirë një të Superligës vendore, Albion Rrahmanin e Ballkanit.

Francezi 70-vjeçar do ta nxjerrë skuadrën në stërvitje sot në orën 15:00 në kampin nacional në Hajvali.

Kosova nuk është kualifikuar kurrë në një garë të madhe, dhe kjo është hera e dytë që prej se u pranua në UEFA e FIFA që luan në kualifikime për një evropian, pas atij për Euro 2020, kur ishte shumë afër arritjes historike.

Përveç Izraelit dhe Andorrës, në grupin e Kosovës bëjnë pjesë edhe Zvicra, Bjellorusia dhe Rumania.

Lexo po ashtu:  Reali Madrid është i interesuar Fabian Ruizin

Ky shihet si grupi më i lehtë që ka mundur t’i binte në short dardanëve, prandaj pritet që ata të luftojnë me Izraelin për vendin e dytë, të fundit që dërgon në Euro 2024.

Lista e Giresse

Giresse i fitoi 26 futbollistë për këto dy ndeshje dhe në të nuk shihet ndonjë mungesë e theksuar, por pati dy prurje të reja,

Arbnor Muja, që po shkëlqen te Royal Antwerp prej se iu bashkua këtij klubi nga Drita, është ftuar për herë të parë, bashkë me Amar Gërxhaliun, 20-vjeçarin e talentuar të klubit turk Antalyaspor.

Ermal Krasniqi është mbase mungesa ngriti më së shumti pikëpyetje në listën e trajnerit francez të premten, pasi ish-ylli i Ballkanit është duke shkaktuar stuhi me Cluj në futbollin rumun.

Për më tepër, Krasniqi shkëlqeu me dy gola e një asist në Ligën e Konferencës sivjet, dhe pati paraqitje mbresëlënëse edhe kundër Lazios përkundër eliminimit të Cluj.

Alion Rrahmani i Ballkanit është lojtari i vetëm nga Superliga e Kosovës që ia del në listën e Giresse. Sulmuesi 22-vjeçar i ka shënuar 12 gola në 21 ndeshje në ligë sivjet

Lexo po ashtu:  Castillejo flet për grabitjen që i ndodhi: Dy djem më drejtuan armën në fytyrë

Leart Paqarada është rikthyer në Kombëtare dhe pritet të jetë një aset i vlefshëm në krahun e majtë, aty ku Kosova ka vuajtur viteve të fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *