Permbi zâ qi lëshon bylbyli
Giûha shqype m’ shungullon;
Permbi érë qi nep zymyli
Pá daë zêmren m’ a ngushllon.

Ndre Mjeda
*
Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Kjo ditë, 21 shkurti, është shpallur nga UNESCO më 17 nëntor 1999 dhe ka mbetur nga 21 shkurti i vitit 1952, kur 4 studentë të rinj u vranë në Daka, në kryeqytetin e Bangladeshit, për shkak të polemikave të gjuhës bengali dhe urdu.
Më vjen mirë që e kujtojmë, jo vetëm ne, shqiptarët, por të gjithë popujt e botës. Aq më tepër sot duhet të reflektojmë dhe t’i bëjmë pyetjen vetes se ku jemi me respektin ndaj gjuhës sonë. Me keqardhje dua të them se sot ka një lloj shpërfilljeje të madhe ndaj gjuhës sonë të folur e të shkruar. Gjen në gjuhën tonë jo pak probleme me fjalët e huaja, gjen shformime strukturore, probleme të mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla etj.
Që në hapat e para të shkollimit të tyre fëmijëve duhet t’u ofrohet dhe t’u ngjallet dashuria për gjuhën amtare standarde. Natyrisht që të gjithë ne, në familje, në shtëpi, në vendlindje etj. mund të flasim edhe në dialekt, por në institucione duhet të flitet dhe të shkruhet vetëm në gjuhën standarde.
“Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”, – thoshte rilindësi ynë Filip Shiroka. Ndërsa Nonda Bulka lëshonte thirrjen: “Zot! Jepu shqiptarëve vullnet dhe logjikë që të flasin shqip, të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënë disa, shpejt a vonë do ta bëjnë atdheun babiloni gjuhësh, ku s’do ta marrë vesh qeni të zonë”.

Lexo po ashtu:  Kush e ka emërtuar Lekun, monedhën e Shqipërisë?

Këshilluesi gjuhësor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *