Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u bë sot promovimi i librit “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” të autorit Ardian Vehbiu.

Libri i sapobotuar kërkon të jetë një përgjigje e arsyetuar ndaj të gjithë atyre që duan të rrëzojnë traditën albanologjike dhe rezultatet e studimeve serioze për gjuhën shqipe dhe historinë e saj.

Përballë një fushate intensive në masmedia, mediat sociale dhe portalet, ku persona me ekspertizë të dyshimtë vihen t’i hedhin gjuhës shqipe fall e t’i shohin filxhanin e kafesë, duke shpjeguar e shkoqitur nëpërmjet saj çdo gjuhë të botës që u del përpara, lexuesit mendjehapur i nevojitet një dozë e shëndetshme mendimi kritik, e shoqëruar me respekt dhe nderim të përtërirë, për të gjithë ata dijetarë shqiptarë dhe të huaj që i kanë ndriçuar shtegun albanologjisë këta dy shekujt e fundit.

Sipas autorit, libri “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” vjen në rrjedhën e debatit për origjinën e gjuhës shqipe dhe është menduar si një përpjekje për të kundërshtuar, sistematikisht, denigrimin e albanologjisë nga alternativët, amatorët dhe demagogët; të cilët falë edhe simpatisë së papërgjegjshme të masmediave dhe frymës konspirativiste që këto ushqejnë, tani gëzojnë një numër të habitshëm ndjekësish dhe përkrahësish anembanë botës shqiptare.

Lexo po ashtu:  “Artet, letërsia dhe propaganda në diktaturë”, konferencë shkencore e ISKK

Pse, si dhe ku gabojnë amatorët që merren me historinë e gjuhës shqipe. Libri i merr me radhë të gjithë autorët e sotëm që duan të merren me origjinën e gjuhës shqipe dhe të vetë shqiptarëve, duke i njohur lexuesit edhe ku e kanë burimin fillestar këto hipoteza dhe si kanë ardhur deri në ditët tona të ambalazhuara me slogane kombëtariste.

Libri “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” është një ese monografike, botim i 2024-ës. Autori i tij, Ardian Vehbiu është diplomuar në Tiranë për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, pastaj ka studiuar gjuhësi historike dhe teorike në Romë (Universiteti “La Sapienza”) dhe ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, si dhe në Institutin Oriental të Napolit.