Tema e mësimit ishte inati dhe mësuesi na kishte porositur që të sillnim nga një trastë me patate. Në orën e mësimit na tha që secili të shkruante në çdo patate emrin e atij që kishte inat. Pra, nëse kishim inat dhjetë persona, do të shkruanim emrat e tyre në dhjetë kokrra patateje. Pastaj na tha që t’i fusnim në trastë patatet me emrat e shkruar. Më në fund, na dha detyrë që trastën me ato patate, gjatë një jave, ta mbanim në krah kudo që të ndodheshim apo të shkonim. Kuptohet që trasta sa më shumë patate të kishte aq më e rëndë ishte.
Me kohë patatet do të fillonin të prisheshin. Ta mbaje përditë në krah atë trastë, duke mos e harruar asnjë çast, do të thoshte të lije pas dore gjërat e tjera më të rëndësishme. Për pasojë, prania dhe pesha e asaj traste, veç bezdisë fizike, të shkaktonte edhe një mundim shpirtëror. Pra, secili prej nesh mbante në krah këtë peshë ndjenje.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress
Sigurisht, ushtrimi që na bëri mësuesi është një metaforë.
Të mos e flakësh tutje, aty për aty, inatin e çastit, por ta ruash brenda vetes, do të thotë ta dënosh veten, duke mbajtur në krah një peshë të kotë e të mundimshme. Veç kësaj, kur e ruan inatin, të shtohet stresi, gjumin e bën të prishur dhe mendjen e ke kuturu.
Nëse e flak tutje inatin, do të thotë se fal. Dhe kur fal, e ushqen shpirtin me paqe e qetësi. Nëse bën të kundërtën, vendin e faljes e zë inati, ky helm që, pikë-pikë, ta mbush shpirtin me vrer. Shpesh mendojmë se falja është një dhuratë për tjetrin, por, në të vërtetë, përfitues jemi ne vetë. Falja është një shprehje dashurie.
Falja na çliron nga ngërçet që na hidhërojnë shpirtin dhe na sëmurin trupin.
Të falësh nuk do të thotë të mos i japësh rëndësi asaj që ndodhi, pra, s’do të thotë se ke rënë në ujdi me atë që të lëndoi. Por ke braktisur ato mendime negative që do të të shkaktonin mërzi e dhimbje.
Nëse inati është e vetmja gjë që të lidh me të tjerët, je i prangosur.
Shpesh herë, personi, të cilin duhet të falësh për gjërat që nuk ishin ashtu siç i mendoje, je ti vetë.
Pyete veten: Me kë je mërzitur? Kë nuk mund të falësh? Po ti vetë, a je i pagabueshëm? Po ty, a duhet të të falin për gabimet që bën?
Që të të falin, duhet të falësh. Mos harro se me kutin që ti mat, do të të matin edhe ty.
Çlirohu nga kjo peshë dhe do të jesh më i lirë e më i lehtë për të ecur përpara.
(E solli në shqip Bajram Karabolli) /MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress