Gazeta “Dita” boton sot një analizë të Xhelal Gjeçovit mbi Luftën Nacionalçlirimtare dhe Konferencën e Pezës, mbajtur më 16 shtator 1942. Siç njihet nga historiografia, Konferenca në fjalë thuhet se hodhi bazat e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër okupatorit pa dallim feje, krahine dhe ideje. Në të morën pjesë përfaqësues të disa rrymave politike me organizator komunistët. Në një nga paragrafët e shkrimit gjendet edhe ky pohim me tonalitetin e një testamenti: 

Në Pezë do të hidheshin themelet e bashkimit të popullit në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, pa dallim feje, krahine dhe ideje, me devizën e rilindasve të mëdhenj se ”feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ky bashkim do të bëhej faktor vendimtar i fitores së luftës dhe vetë ajo, qe nga ky moment do të marrë tiparet e një lufte të organizuar, mbarëpopullore e do të udhëhiqej nga Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, organizatë, në të cilën do të bënin pjesë patriotë e antifashistë nga i gjithë vendi, pavarësisht dallimeve, për shkak të përkatësive ideologjike, pasurore, krahinore apo fetare, që ishin të gatshëm të ngriheshin në luftë për çlirimin e shpëtimin e atdheut

Lexo po ashtu:  Përdorimi i aviacionit nga Serbia në Luftën e Shkodrës 1912-1913

Ky përcaktim është në përputhje me proklamatat e Komferencës, por vështirë se ai i përgjigjet realitetit që e pasoi Pezën. Idealizimi nuk shërben për ndonjë gjë, pasi ndonëse Konferenca ka forcën e një akti simbolik dhe organizativ, në rrjedhën e fakteve historike, ajo ngjan si darka e fundit mes dy anëve të së njëjtës medalje. 

Të paktën nga perspektiva e nacionalistëve Peza shërbeu si element taktik për komunistët që fituan terren dhe morën në kontroll drejtimin e luftës që e kthyen hapur në çështje pushteti më shumë sesa kauzë kombëtare. 
Kjo është një pikëpamje që nuk mbeti thjesht si mllef apo pasivitet politik por u materializua me ndarjen dhe fragmentarizimin e formacioneve politiko-ushtarake gjatë luftës përtej Frontit Antifashist Nacionalçlirimitar që ishte dekori i Partisë Komuniste. Pa dështimin e Pezës nuk do të kishte asnjë nevojë për Konferencën e Mukjes, të cilën komunistët e Enver Hoxhës tashmë, në rrethana historike ende të pasqaruara e analizuan nga pozitat e forcës dhe jo të perspektivës për konsensus. 

Sigurisht që asnjë gabim, apo krim nuk i heq meritën komunistëve shqiptarë që dolën fitues nga lufta dhe arritën që për shumë arsye ta nxjerrin edhe Shqipërinë palë fituese. Por disa të vërteta zyrtare është mirë të çmontohen dhe të pranohet se liria e ideve dhe bindjeve është më e rëndësishme sesa rreshtimi emocional ndaj një apeli si i Pezës që në fund siç u pa nuk funksionoi veçse nën pushtetin organizativ dhe ushtarak të komunistëve, por jo si bindje e popullit për të luftuar. 

Lexo po ashtu:  100-vjetori i Luftës së Vlorës, tituj vlerësimi për atdhetarë e profesorë të historisë

Në fund të fundit procesi i pasluftës ishte vazhdim i ndarjes që u krijua gjatë luftës, në të gjitha drejtimet kryesore dhe në këtë kuptim na mbetet të themi se Lufta e Klasave apo pastrimi i atyre që quheshin mbeturina të klasave të përmbysura, ishin asgjë më shumë se operacione sterilizimi të një populli të infektuar keq me historinë e tij. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *