Një nga presidentët më të pëlqyer në botë, ka mbajtur edhe një ndër fjalimet më të përfolura në media si motivues gjatë fitores së tij të parë në garën presidenciale. I rritur me qindra vështirësi, i shkolluar më një listë të gjatë kredish studentore, Barack Obama është ndër liderat më të dashur botërorë për çfarë i solli Amerikës dhe botës gjatë udhëheqjes së tij.

Më poshtë do të citojmë disa pjesë nga fjalimi i tij presidencial që me siguri do t’ju pëlqejnë:

“Sa herë mblidhemi për të shënuar marrjen e detyrës nga një president provojmë fuqinë e qëndrueshme të kushtetutës sonë; përforcojmë premtimin e demokracisë sonë; sjellim ndërmend se ajo që e mban të bashkuar këtë komb nuk ka të bëjë më ngjyrat e lëkurës sonë, dogmat e besimeve tona apo origjinën e emrave që mbajmë. Ajo që na bën të veçantë – që na bën amerikanë – është besnikëria ndaj idesë së artikuluar në deklaratën e shkruar më shumë se dy shekuj më parë:
“I konsiderojmë si të vetëkuptueshme këto të vërteta: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se nga krijuesi i tyre u janë dhënë disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë e drejta për të jetuar, për të qenë të lirë dhe e drejta për të kërkuar dhe gjetur lumturinë.”Ky brez amerikanësh është testuar nga kriza të cilat e kanë bërë vendosmërinë tonë të çeliktë dhe kanë provuar qëndrueshmërinë tonë. Tani po i vjen fundi një dhjetëvjeçari lufte. Ka nisur rimëkëmbja ekonomike. Mundësitë e Amerikës janë të pafundme, sepse ne zotërojmë të gjitha cilësitë që kërkon kjo botë pa kufij: rini dhe energji; shumllojshmëri dhe mendje të hapura; kapacitet të pafund për të rrezikuar dhe dhuntinë e rishpikjes. Bashkëqytetarët e mi amerikanë, ne jemi lindur për këtë çast dhe do ta kapim atë – për aq kohë sa mund ta kapim së bashku. Ne, njerëzit e këtij vendi, besojmë akoma se çdo shtetas meriton sigurinë dhe dinjitetin bazë.

Lexo po ashtu:  Italia kalon në ‘Fazën 2’ të Covid-19, kryeministri Conte prezanton dy hapat që do ndiqen për menaxhimin e situatës

Ne, njerëzit e këtij vendi, akoma besojmë se detyrimet tona si amerikanë nuk janë vetëm ndaj vetes sonë, por ndaj gjithë pasardhësve tanë. Do t’i përgjigjemi kërcënimit të ndryshimit të klimës, duke e ditur se mosbërja e kësaj do të linte në baltë fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm. Disa akoma mund të mohojnë gjykimin mbizotërues të shkencës, por askush nuk mund të shmangë ndikimin shkatërrimtar të zjarreve të furishme, thatësirave paralizuese dhe stuhive të fuqishme.

Do ta mbrojmë popullin tonë dhe do të mbajmë lart vlerat tona me fuqinë e armëve dhe shtetin ligjor. Do të tregojmë kurajën duke provuar të zgjidhim mospërputhjet tona me kombet e tjera në mënyrë paqësore – jo sepse jemi naivë ndaj rreziqeve me të cilat përballemi, por sepse angazhimi mund të heqë dyshimet dhe frikën në mënyrë më të qëndrueshme.

Është detyra e brezit tonë tani të vazhdojë ato që u nisën nga themeluesit tanë. Sepse udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa gratë tona, nënat dhe motrat tona të sigurojnë jetesën në përputhje me përpjekjet e tyre. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa vëllezërit tanë dhe motrat tona homoseksuale të trajtohen si gjithë të tjerët nga ligji, sepse nëse jemi me të vertetë të barabartë, atëherë sigurisht që dashuria që i japim njëri-tjetrit duhet të jetë e barabartë gjithashtu. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa të mos ketë asnjë qytetar të cilit i duhet të presë në radhë me orë të tëra për të ushtruar të drejtën për të votuar. Udhëtimi ynë nuk mund të jetë i plotë derisa të gjejmë një mënyrë më të mirë për të pritur emigrantët e rropatur e shpresëplotë të cilët akoma e shikojnë Amerikën si tokën e mundësive, derisa studentët dhe inxhinierët e shkëlqyer të futen në listën e të punësuarve tanë në vend që të dëbohen nga ky vend.

Lexo po ashtu:  Koha që qeveria të sqarojë nëse ka arritur marrëveshje për vaksinën anti-CoVid-19

Bashkëqytetarët e mi amerikanë, betimi që kam bërë përpara jush sot, ashtu si betimi i bërë nga të tjerët që kanë shërbyer në këtë ndërtesë, ishte betim përpara Perëndisë dhe vendit, jo përpara partisë apo fraksioneve. Betimi im nuk ndryshon nga zotimi që bëjmë të gjithë përpara flamurit që valëvitet mbi ne e që mbush zemrat tona me krenari.

Secili prej nesh le të përqafojë sot me detyrim solemn dhe gëzim të madh atë që është e drejta jonë që në lindje. Me përpjekje të përbashkëta dhe qëllim të përbashkët, me pasion dhe përkushtim, le t’i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të çojmë drejt një të ardhmeje të pasigurt dritën e çmuar të lirisë.

Faleminderit. Zoti ju bekoftë ju e bekoftë përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *