Shkruan: Gëzim Mekuli
Me e kthy e me e pranu Kosovën si pjesë të Serbisë, në këtë rast vetëm e vetëm për t’ë përfituar të drejtën e transmetimit të ‘Champions League’, është turp, është dobësi, është poshtërsi, është jobesnikëri ndaj publikut, është keqinformative, është frikësuese e gjithsesi është edhe tradhëti ndaj shqiptarëve, të cilët u vranë, u dogjën, u ndoqën e u dhunuan nga Serbia e vitit ’89 si dhe nga kjo e ’23-tës. Ky mentalitet grabitës, e ky botëkuptim prej skllavi, është përlloqje e Republikës, e politikës dhe e historisë.
Ky medium, apo secili medium tjetër që nuk respekton historinë, kulturën, gjuhën shqipe, Kushtetutën dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, është i dëmshëm, i rrezikshëm për sigurinë e shtetit, dhe mbi të gjitha është jolegale; është minues i stabilitetit dhe, ligjërisht është i jashtligjshëm… Pra nuk kemi të bëjmë as me censurë e as me cenim të fjalës, të kritikës apo të mendimit të lirë, ashtu siq, depresivisht, po tentohet t’i paketohet hapsirës publike shqiptare.
Askush nuk kritikon përmbajtjen e lajmit, por po kërkohet respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës për të gjitha mediumet që veprojnë brenda Kosovës. Sikur ky medium të vepronte në Serbi dhe të ishte i regjistruar në Serbi, pakkush nga ne do të mirrej me të, sepse ka respektuar Kushtetutën e Serbisë. Por KK vepron në Kosovë…
Të dashur lexues,
Në katundin e Esat dhe Hasan Mekulit, në Nokshiq (sot Mali i Zi) e që sot është pa asnjë shqiptarë, ime gjyshe e Ulajve më tregonte një ngjarje historike, tragjike por, edhe mbinjerëzore e heroike që kishte ndodhur në vitin e gazepit, në vitin e moçëm 1898:
“Ushtria serbe dhe cërnogore kishin bërë shkrum e hi Plavë e Guci, Nokshiq, Martinaj e Vuthaj… Gjatë msymjeve barbare serbët kishin kapur rob mbi 30 burra shqiptarë; i kishin rreshtuar dhe ju britinin shqiptarëve t’rrahur qenqe, që e prisnin vrasjen, o me plumb, o me çekiq n’kokë.
Malësorët shqiptarë, pra shqiptarët, sipas traditës, bartnin në kokë Plisin. Për t’i poshtruar burrat shqiptarë, ushtarët e tërbuar serbë e cërnogorë, u ‘ofronin’ burrave me plis në kokë, Jetën; pra të mos ekzekutoheshin, nëse këta burra do e hiqnin Plisin nga koka e t’a gjuanin me urrejtje n’lloq, e t’a shkelnin me dy këmbë, e t’a bënin copë – copë me gjysmëopingat e tyre të shqyera. ”
Të nderuar lexues,
Asnjëri nga këta burra të pafat nuk pranoj të Jetoj; nuk e bartnin dot turpin, marren e as Nënshtrimin serb/crnogor; E mbanin Plisin fort me dy duar e nuk e shkelën Plisin malësorët shqiptarë; Nuk e tradhëtuan identitetin e tyre shqiptar. Nuk e gjuajtën n’tokë Plisin, nuk e përlloqën Plisin, e mbajtën Plisin n’kokë, edhe pse, të shkretët, e dinin se do të mbyteshin si qentë e untë të shekullit XIX.
E përgjakën Plisin, por me e përlloqë, nuk e përlloqën dot. Epo janë këta idealistë e këta patriotë, janë këto idealiste e patriote që jetën e dhanë e nuk e bënë Plisin lloq e as Kosovën Serbi.
Të nderuar,
Plisi e Kosova, pra shqiptarja si politikë, si identiet e si histori, nuk u përlloq e s’u tjetërsua as me çmimin e vdekjes, e sot, në vitin 2023, na dalin nja dy Devollë e dojnë me e tjetërsu e me e përlloqë Kosovën, Plisin e historinë për futboll, për një ‘Champions Leage’!
Këndoni këngë Titos, Rankoviqit e Millosheviqit. Krtikojeni, poshtërojeni, luftojeni e ofendojeni përditë Albinin, Isa Boletinin, Adem Demaçin e Skenderbeun. Edhe pornografi prodhoni dhe lanconi, por Kosovën në Serbi mos e çoni, mos e çoni, mos e çoni, mos e çoni, aman mos e çoni!