Prokurorët ukrainas thonë se po hetojnë mbi 4 mijë krime lufte, të cilat Rusia i ka kryer në një muaj mësymje në tokën ukrainase, kryesisht në rrethinat e Kievit, me ngjarjen më të bujshme deri tani atë në qytetin Bucha, ku 410 civilë janë gjetur të pajetë rrugëve të qytetit apo në varre masive.

Më saktësisht, janë 4 mijë e 468 krime lufte të pretenduara nga prokurorët ukrainas, të cilët janë në proces.

E gjithë bota i ktheu sytë për nga Bucha, pas publikimit të pamjeve makabre, në skenarin që forcat ruse lanë pas largimit të tyre më 1 prill.

Ndër këto krime lufte, mendohet paraprakisht se 165, lidhen me fëmijë të vrarë për shkak të bombardimeve të vazhdueshme në zona të banuara, apo edhe për shkak të vrasjeve direkte nga ushtarët rusë.

Vetë prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, e përshkroi situatën e lënë pas nga Moska në disa qytete, si “rajone të torturuara nga ferri”.

Sa i përket vetë masakrës në Bucha, ende nuk bëhet me dije se kush mund të jetë batalioni rus përgjegjës për agresionin.

Lexo po ashtu:  Shkon në 55 numri i të prekurve me Coronavirus në Shqipëri

Megjithatë, sipas medias investigative Bellingcat, të përfshirë mund të jenë edhe ushtarët çeçene të Ramzan Kadyrov, të cilët mendohet se kanë qenë pikërisht në atë zonë gjatë mësymjes në Kiev dhe përpjekjes për të rrëzuar Qeverinë, duke vrarë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Plani i prokurorëve ukrainas, është që dosjet e përpunuara me gjithë krimet e pretenduara, të dërgohen në Gjykatën e Hague-ës, ku edhe do të shqyrtohen për gjykim.

Mbledhja e të dhënave ka përfshirë edhe rajonet e Kharkiv-it, Sumy, Mykolaiv, Donetsk dhe Luhansk.

Në dy vendet e fundit, pjesë të rajonit të Donbass-it, mendohet se Rusia do të kryejë agresionin final, duke marrë pjesën lindore të Ukrainës dhe duke e aneksuar atë, në një mënyrë të ngjashme si Crimea.

Pra, duke vendosur në vend hegjemoninë e saj separatiste e ushtarake dhe duke e mbajtur nën kontroll vendin. Një fakt të tillë, e ka paralajmëruar edhe vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *