Deputetët republikanë kanë kërkuar nga presidenti Trump të heqë dorë nga tërheqja e pjesshme e trupave amerikane nga Gjermania. Ushtarët amerikanë i shërbejnë interesave strategjike të SHBA përtej Europës, theksojnë ata.

Presidenti amerikan, Donald Trump planifikon të tërheqë gati 10.000 trupa amerikane të stacionuara në Gjermani. Për arsyet spekulohet: Do Trump të ndëshkojë Gjermaninë për shkak të shpenzimeve aq të pakta që bën për mbrojtjen? Apo do të shprehë zemërimin e tij për anulimin që kancelarja Merkel i bëri udhëtimit për samitin e G7-s në SHBA për shkak të pandemisë.

Rezistencë brenda radhëve të veta

Pavarësisht, se cilat janë arsyet që e kanë bërë Trump të marrë këtë vendim, këto plane nuk gjejnë miratimin e republikanëve në kongresin amerikan. Në një letër të gjashtë anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve theksohet, se tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania dëmton sigurinë kombëtare të SHBA. Ata argumentojnë se, ushtarët amerikanë në Gjermani i shërbejnë interesave strategjike amerikane përtej Europës deri në Lindjen e Afërt dhe Afrikë. Në këto rajone po rritet influenca e Kinës dhe Rusisë, paralajmërojnë deputetët republikanë. Tërheqja e pjesshme e trupave e forcon Putinin. “Kjo nuk është koha për masa, që t’i japin shans Putinit për të vënë në pikëpyetje besueshmërinë e kërcënimit të NATO-s.”

Lexo po ashtu:  Pas humbjes së Trump, reagon Hillary Clinton - “Është një biletë historike dhe një faqe e re për Amerikën”

Duhet të pengohet po ashtu, shkruajnë deputetët republikanë, që aleatët e NATO-s të krijojnë dyshime për “angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë tonë kolektive.” Një Europë paqësore dhe me mirëqenie nuk është vetëm në interes të aleatëve europianë, por edhe të SHBA. Kundërshtarët si Kina apo Rusia mund të përpiqen të shfrytëzojnë të çarat në marrëdhënien transatlantike.

Në letrën e tyre deputetët republikanë Michael McCaul, Adam Kinzinger, Ann Wagner, Joe Wilson, Brian Fitzpatrick dhe John Curtis i bëjnë thirrje presidentit Trump të rishikojë vendimin. Javën e kaluar Trump bëri të ditur tërheqjen e një pjese të ushtarëve amerikanë nga Gjermania. Qeveria gjermane nuk ishte njoftuar më parë për planet e Trumpit. Ndërkohë deputetët demokratë kanë bërë të ditur, se do ta ndalojnë me ligj tërheqjen e trupave./DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *