Policia e Kosovës nxitë ndasi dhe urrejtje ndëretnike  
Përkundër faktit se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, ndërkaq Kushtetuta e stimulon këtë barazi, madje duke e definuar Kosovën si shtet multietnik, ka prej institucioneve shtetërore dhe atyre nga shoqëria civile që e minojnë këtë fundament kushtetues.

 Policia e Kosovës, e cila është e thirrur për garantimin e rendit dhe ligjit, del të jetë institucioni i parë që e shkelë këtë parim dhe e dhunon ligjin, pikërisht në pjesën më të ndishme të tij: garantimin e barazisë ligjore për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, gjinie, feje, race etj. 

Në fakt, 12 vite pas pavarësisë së vendit, Policia e Kosovës vazhdon ta shkelë Kushtetutën e shtetit qysh prej ditës së parë kur është miratuar ajo si dhe kur Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK) është shndërruar në Policia e Kosovës (PK). Treguesit me të drejtë të këtyre shkeljeve ligjore janë raportet e përditshme të PKsë, në të cilat në mënyrë të faktuar argumentohet synimi nxitës i ndarjes etnike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 

Lexo po ashtu:  Përpjekje për afrimin BE-Turqi

Madje kjo ndarje jep pasqyrim të pastër etnik edhe në regjionet ku s’ka fare komunitet. Në këtë mënyrë, të dhënat e përditshme të PKsë trasojnë rrugën e ish-SHPKsë, shërbim ky i cili në kojën e UNMIKut interesohej për detajet e ngjarjeve, raporteve dhe marrëdhënieve ndëretnike të cilat pastaj, dhe zakonisht, i (keq)perdorte gjatë raportimit në OKB. Pra PKja akoma po e luan rolin e SHPKsë dhe, përveç që nxitë urrejtje ndëretnike, nuk ka bërë asnjë hap përpara (p.sh.) në luftimin e krimit të organizuar; përkundrazi, në ndonjë rast hetimi të tillë, edhe pse krimi i organizuar në shumicën e herave përfshinë multietni, në raportet e saja PK ose nuk merret me percaktim etnie ose barren e krimit ia faturon komunitetit shumicë. 

Këto lëshime nuk vihen re vetëm në raportet e përditshme por edhe në konferencat e zakonshme e të jashtëzakonshme të PKsë me gazetarë. Përpilimi i raporteve të tilla lidhje me ndodhitë e ndryshme në Kosovë (zakonisht shkelje ligji dhe probleme të tjera të zakonshme), ku theksohet etnia e qytetarëve, mund të jetë i arsyeshëm vetëm në rast kërkese specifike nga ndonjë gazetar hulumtues si dhe për nevoja të brendshme të PKsë, MPBsë e MDsë, por jo edhe për publikun. Kjo për faktin se ato nxisin ndasi, urrejtje dhe madje dhunë ndëretnike, pavarësisht se ngjarjet mund të mos kenë kurrfarë lidhje me ndarjet etnike…

Lexo po ashtu:  Pse duhet të protestojë opozita më 6 dhjetor

 Sa për ilustrim po ju sjellë një raport të PKsë lidhje me një mosmarrëveshje të zakonshme për vendparkim veturash ndërmjet dy qytetarëve fushëkosovarë, e që rastësisht ka qëlluar që njëri prej tyre të jetë shqiptar e tjetri serb. Në këtë raport shihet qartë se problemi është i zakinshëm, ndërkaq në vend se fokusimi të jetë tek konkretizimi i mosmarrëveshjes (nuk ceket se konflikti lindi për çështje parkimi), akcenti bie tek konflikti fizik ndërmjet një shqiptari dhe një serbi, i cili shumë lehtë mund të përkthehet si konflikt ndër-etnik:


“Fushë Kosovë, 09.02.2020-17:20. Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull K-Shqiptar dhe një mashkull K-Serb pasi qe te njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht ne mes vete. Si pasoj te dyshuarit kane pësuar lëndime trupore dhe te njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit te dyshuarit janë liruar ne procedure te rregullt”. 
/Adem Breznica, gazetar i pavarur/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *