Kompania shtetërore e naftës në Poloni, PKN Orlen, ka blerë Polska Press, një grup mediatik privat, pjesë e të cilit janë disa të përditshme dhe të përjavshme. Kjo ka ngritur shqetësimin se qeveria po përpiqet të vënë nën kontroll një botues me peshë dhe të pavarur.

Kjo blerje vjen në një moment kur standardet demokratike të vendit janë në rënie në sfera të tjera, që nga pavarësia e gjyqësorit deri te vendimi i Gjykatës së Lartë për abortin, i cili u pasua nga protestat.

Grupi mediatik ka qenë në pronësi të gjermanëve të Verlagsgruppe Passau dhe blerja shihet si pjesë e përpjekjes së Jaroslaë Kaczynskit për të reduktuar pronësinë e të huajve në mediat e Polonisë.

Orlen është rafineri nafte dhe ka në pronësi një rrjet stacionesh karburanti.

Kritikët e partisë së Kaczynskit, Ligj dhe Drejtësi (PiS), e shohin këtë zhvillim si një goditje të madhe për lirinë e medias. Ata thonë se partia tashmë i ka shndërruar TV shtetëror, radion dhe mediat e tjera publike në zëdhënës të partisë, që përdoren për të lavdëruar qeverinë dhe denigruar kundërshtarët e saj.

Lexo po ashtu:  Gazetaria shqipe është e varur nga lajmi serb dhe grek

Që kur partia e Kaczynski-t mori pushtetin në 2015, ajo e ka përmendur shpesh “ripolonizimin”, që do të thotë shtetëzimin e shumë prej kompanive të huaja mediatike.

Kritikët e qeverisë ia kanë frikën një skenari si ai i Hungarisë, ku kryeministri Viktor Orban ka marrë kontrollin gati të plotë të mediave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *