Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mblodhi tërë kabinetin e tij qeverisës dhe më 14 tetor zbarkoi në Shkup. Ai erdhi për të mbajtur mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, të dytën me radhë pas asaj të mbajtur në vitin 2017. Njëjtë si e para, edhe kjo e dyta u përcoll me protokolle e ceremoni dhe prodhoi plot 21 marrëveshje e memorandume të reja.

Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në vitin 1993 janë nënshkruar gjithsej 37 marrëveshje, që kërkojnë ratifikim në parlamentet përkatëse. Me këto marrëveshje, të cilat pas ratifikimit i obligojnë shtetet t’i zbatojnë, janë rregulluar një sërë çështjes në interes të qytetarëve nga të dyja vendet – që nga kalimi i kufirit me letërnjoftime e deri te qasja drejt integrimeve evropiane. Të gjitha këto marrëveshje të rëndësishme janë nënshkruar para vitit 2013, pra para se Rama të vijë në krye të qeverisë shqiptare. Në kohën e tij janë nënshkruar vetëm tri marrëveshje të ratifikuara: për sigurim social (2016), për bashkëpunim në sferën e arsimit dhe shkencës (2016) dhe marrëveshja për themelimin e qendrave kulturore të ndërsjella (2019).

Nga ana tjetër, ka gjithsej 41 memorandume, protokolle dhe marrëveshje që nuk i nënshtrohen ratifikimit, të cilat janë nënshkruar që nga viti 1993, por që zbatimi i tyre është në vullnetin e lirë të institucioneve të vendeve përkatëse. Të tilla janë edhe 5 dokumentet e nënshkruara në mbledhjen e parë, të përbashkët midis qeverisë së Shkupit dhe Tiranës, e mbajtur më 15 dhjetor në Pogradec të Shqipërisë. Nëse këtij numri i shtohen edhe 21 dokumentet e firmosura më 14 tetor në Shkup, të cilat njëjtë nuk i nënshtrohen ratifikimit, atëherë numri i tyre arrin në 62.

Lexo po ashtu:  Rehabilitimi i kolaboracionistëve, njollë turpi për qeverinë Kurti

Nëse të dyja mbledhjet prodhuan nënshkrime dokumentesh të paobligueshme për palët, të cilat harrohen menjëherë pasi të nënshkruhen, atëherë ku është interesi konkret i qytetarëve nga këto lloj takimesh? Te këto mbledhje, në fakt, nuk ka asnjë interes të përgjithshëm. Ka vetëm fotografime, folklorizëm patetik, populizëm dhe propagandë. Është një mundësi e artë, sidomos e Ramës, që të shfaqë veten në një rol të burrështetasit rajonal, i cili në Shkup ndan leksione se si duhet ta ndryshojnë Kushtetutën për të ecur përpara drejt integrimit evropian, ndërsa në Shqipëri mendon se si të legalizojë paratë e pista nëpërmjet amnistisë fiskale. Në Shkup flet për demokratizimin e rajonit nëpërmjet projektit “Ballkani i Hapur”, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të marrë kritika për përkeqësimin e gjendjes me lirinë e mediave. Në Shkup flet për vlerat evropiane që gjoja i ndajmë edhe ne në rajon, por Transparency International e rendit Shqipërinë në vendin e 110, bashkë me Bosnjë e Hercegovinën, si shtete me prani më të madhe të korrupsionit në Ballkan. Jo vetëm në Shkup, ai kudo jashtë Shqipërisë flet me sofizma, me fjali të gatshme e të bukura, që u ngjajnë poezive, por që në thelb janë populizëm bosh.

Lexo po ashtu:  Korrupsioni, i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes. Me kë do takohen zyrtarët amerikanë në Tiranë?

Në konferencën për shtyp me homologun e tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, Rama theksoi edhe rëndësinë e nismës së Ballkanit të Hapur.

Tre ditë pas që të dy udhëtuan në Beograd për samitin e radhës së kësaj iniciative. E themeluar në vitin 2019 në Novi Sad nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Rama dhe nga ish-kryeministri maqedonas Zaev, Ballkani i Hapur duket se nuk ka arritur asnjë nga synimet kryesore të saja: nuk ka përmbushur parimin gjithëpërfshirës, pasi ende nuk ka bindur tri shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten, ndërkohë që nuk ka siguruar gati asnjë nga katër lëvizjet evropiane. Fluksi i mërgimtarëve verës dhe pritjet e gjata të tyre në kufijtë e rajonit i demantuan të gjitha dokumentet e nënshkruara me pompozitet në samitet e deritashme të kësaj nisme. Linjat e gjelbra për lëvizjen e mallrave në vendkalimet kufitare kanë vetëm tabelat, por në thelb janë jofunksionale. Gati asnjë marrëveshje nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, e që ishin në interes të qytetarëve të rajonit.

Lexo po ashtu:  Kur historia e shqiptarëve paraqitet gabimisht dhe e parëndësishme

Njëjtë si mbledhjet e përbashkëta midis qeverive, që prodhojnë dokumente që nuk respektohen, edhe Ballkani i Hapur duket se shërben vetëm si skenë për defilime propagandistike. Tashmë kur kancelari gjerman Olaf Scholz, si pasardhës i Merkelit, mblodhi në Berlin krerët e Ballkanit Perëndimor që t’ua bëjë me dije se Procesi i Berlinit vazhdon më fuqishëm dhe me më shumë fonde zhvillimore, Ballkani i Hapur shfaqet si një nismë gjysmake, e zbehtë, pa rezultate dhe që shërben vetëm për të kënaqur ambiciet për protagonizëm rajonal të dyshes Rama-Vuçiq.

Nëse një veprim politik vlerësohet nga rezultatet që jep, atëherë Procesi i Berlinit del nisma e vetme që ka prodhuar përfitime për qytetarët. Përveç përfshirjes të gjashtë shteteve ballkanike si të barabarta, kjo nismë prodhon dokumente që u nënshtrohen ratifikimit, e që pas të prodhojnë biseda pa roaming, nxitjen e bashkëpunimit midis të rinjve, projekte konkrete në fusha të ndryshme, menaxhim i përbashkët i pandemisë, i krizës energjetike, njohjen e diplomave, lejeve etj. Së këndejmi duhet thënë publikisht se Ballkani i Hapur dhe mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare janë vetëm aktivitete propagandistike, për kosnum të brendshëm politik, nga të cilat qytetarët nuk kanë asnjë përfitim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *