Më shumë sesa një “love story” politik, bëhet fjalë për një kalkulim cinik ekonomik

“Të dua, Elon!” Gjatë fjalimit të tij të fitores, Donald Trump i bëri një homazh shumë më të spikatur drejtuesit të Tesla-s dhe SpaceX-it, sesa vetë zëvendëspresidentit të tij të ardhshëm. “Një yll ka lindur! [Elon Musk] është një djalë i jashtëzakonshëm, një gjeni!” Presidenti i zgjedhur deklaroi se ishte “i kënaqur” që do ta kishte atë në administratën e tij të ardhshme. Donaldi ia detyron këtë Elonit: njeriu më i pasur në botë u shfaq gjatë gjithë fushatës presidenciale amerikane si mbështetësi më i zjarrtë i kandidatit republikan, aq sa që rivalët demokratë e cilësuan atë si zv/presidentin e vërtetë.

Por, më shumë sesa një “love story” politik, në këtë rast bëhet fjalë për një kalkulim cinik ekonomik. Ai pritet të marrë formën e një roli kyç për multimiliarderin.

MBRETI I DEZINFORMIMIT

“Është hera e parë që një biznesmen ka qenë kaq aktiv në një fushatë amerikane”, vëren Romain Huret, historian i Shteteve të Bashkuara dhe bashkautor i librit “Anatomia e një demokracie”. “Historikisht, manajtët e biznesit kanë dashur gjithmonë të ndikojnë në politikë për të nxjerrë përfitime prej saj, por ata e kanë bërë këtë në mënyrë diskrete, për të mos riskuar një bojkot ndaj mallrave të tyre. Vizibiliteti Elon Mask shenjoi një etapë të re, atë të pushtetit të pamatë të multimiliarderëve”.

Gjatë fushatës, padroni i Tesla-s dhe SpaceX-it u shfaq në skenë në mitingje, qe mjaft aktiv në terren në Pensilvani dhe shkoi deri aty sa të paguante një llotari, një milion dollarëshe, për ata që regjistroheshin në zgjedhje në favor të Trump, – një qasje e konsideruar e paligjshme nga Departamenti i Drejtësisë. Nëse ka shpenzuar shuma të mëdha – totali tejkalon 119 milionë dollarë – ajo që ka lënë më shumë gjurmë është përdorimi i rrjetit të tij social X (ish-Twitter), i transformuar në një zëdhënës të ideve konservatore. Algoritmet janë modifikuar për të promovuar më mirë temat e fushatës republikane, duke filluar nga lufta kundër emigrantëve, të cilët nuk i honeps dot ky ish- emigrant afrikano jugor.

Lexo po ashtu:  Legenosja e ambasadorëve

Më keq akoma, si mbret i dezinformimit, ai ndau me 203 milionë ndjekësit e tij dhjetëra lajme të rreme për zgjedhjet, si trillimi i emigrantëve haitianë që “hanë mace” ose video të Kamala Harris, ku inteligjenca artificiale i bën të thotë fjalë që ajo si kishte shqiptuar kurrë. 

Të gjitha këto përpjekje i përkasin asaj që ai e ka konsideruar si “dritarja e Overtonit”, qëllimi i së cilës është që të penetrojë idetë ekstreme në gjirin e shoqërisë, duke i bërë ato të pranueshme prej saj. Kjo është mënyra për të shndërruar ide që ishin më parë të papranueshme në program politik.

Në fakt, bëhet fjalë pikërisht për një program. Duke pasur pranë veshin e kujdesshëm të Donald Trump-it, Elon Musk ka sugjeruar disa masa shumë konkrete. Një shembull: presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, i cili gjithmonë i ka denigruar makinat elektrike, më në fund do të përshpejtojë zëvendësimin e automjeteve termike amerikane me makina elektrike, falë një bonusi për blerje. Një lajm i mirë për prodhuesin e parë të vendit… Teslën e Musk! “Nuk kam zgjidhje sepse Elon më ka mbështetur shumë,” ka pranuar me gojën e vet Trump.

Lexo po ashtu:  Dr. Dardan Baftiu: Politikanë kërkoni falje për futje të shëndetësisë në kolaps

“Musk gjithashtu e ka mbështetur kandidatin republikanin me shpresën për të lehtësuar dhjetëra procedura që rëndojnë mbi  kompanitë e tij,” thotë Ryan Mac, gazetar në “New York Times” dhe bashkautor i librit “Ankesa ndaj X-it. Si e shkatërroi Elon Musk Twitter-in”. Gjithsej janë hapur rreth njëzet hetime nga administrata të ndryshme amerikane kundër kompanive të Musk, veçanërisht për sigurinë e Tesla-s dhe dëmet mjedisore të shkaktuara nga raketat SpaceX. “Si Gulliverë, të lidhur nga mijëra fije, ne humbasim lirinë tonë sa herë mbi ne shtohet një ligj”, deklaroi magnati multi-miliarder, përpara se të justifikonte përfshirjen e tij në politikë, duke e justifikuar këtë me bindjen pseudo-libertariane për “më pak shtet” për të “rikthyer lirinë e krijimtarisë.” Synimi i tij është të anashkalojë të gjitha pengesat ligjore për të zgjeruar sa më shumë biznesin dhe pasurinë e vet.

KONFLIKT INTERESI

Elon Musk ka rënë dakord me Trump që ai të marrë përsipër drejtimin e një “komisioni për efikasitetin e qeverisë”, për të organizuar shkurtimet buxhetore në agjencitë federale – ai ka premtuar të kursejë 2,000 miliardë dollarë (që përfaqësojnë një të tretën e të gjitha shpenzimeve qeveritare). Trump e ka quajtur partnerin e tij të ardhshëm “sekretarin e shtetit për uljen e kostove.” Sigurisht, konflikti i interesave është i madh.

Është e pamundur që agjentët federale të synojnë të hetojnë (dhe të dënojnë) lirshëm kompanitë e atij që është në gjendje t’i pushojë nga puna. Për më tepër, Musk mund të përdorë këtë pozicion për të dëmtuar konkurrentët e tij: ai vetë ka sugjeruar fundin e mundshëm të kontratës së NASA-s për krijimin e një anijeje të re kozmike me Boeing, konkurrentin kryesor të tij në industrinë hapësinore. Kjo përzierje rolesh rrezikon të zgjerohet edhe në fushën e  subvencioneve dhe kontratave të dhëna nga shteti, nga të cilat perandoria e Musk-it fiton jo pak. Vetëm vitin e kaluar, kompanitë e tij kanë marrë më shumë se 3 miliardë dollarë përmes qindra kontratave me shtatëmbëdhjetë agjenci federale.

Lexo po ashtu:  Orientimet seksuale të Grenellit nuk duhet të përcaktojnë orientimin strategjik të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor!

“Do të punoj shumë për të përmirësuar efikasitetin e qeverisë,” premton multi-miliarderi me dorën mbi zemër. “Dhe më pas, shpresoj se nuk do të më duhet më të bëj politikë…”

Përsëri Fake News”. I galvanizuar nga fitorja, Elon Musk do të vazhdojë angazhimin e tij duke financuar kandidatura republikane në zgjedhjet e ardhëshme të mesmandatit të vitit 2026. Duke shfrytëzuar lidhjet e tij të privilegjuara me udhëheqës nga e gjithë bota – veçanërisht me autokratët – manjati ka shumë të ngjarë të luajë një rol gjeopolitik të rëndësishëm.

Kur të ndërmarrë përpjekjen për të ndaluar luftën në Ukrainë, “brenda njëzet e katër orësh”, siç ka premtuar, Donald Trump do të mund të mbështetet në ndërhyrjen e Musk-ut, i vetmi amerikan që komunikon rregullisht me Vladimir Putin. E njëjta gjë do të ndodhë kur të vijë puna për të negociuar me Kinën, apo Arabinë Saudite.

Në Evropë, Shtëpia e Bardhë mund të mbështetet në marrëdhëniet e mira të Musk me të djathtën ekstreme italiane të Giorgia Meloni-t dhe me populistin hungarez Viktor Orbán. Në këtë mënyrë, Elon Musk mund të bëhet më i fuqishëm sesa një oligark.