Autoritetet haitiane kanë nxjerrë rezultatet e para të hetimit të sulmit të armatosur në shtëpinë e presidentit të vendit, që përfundoi me ekzekutimin e tij tri ditë më parë. Në sulm kanë marrë pjesë 26 kolumbianë dhe dy amerikanë.

Ministri kolumbian i Mbrojtjes, Diego Molano, tha se gjetjet e para të hetimit tregojnë se kolumbianët e dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, janë anëtarë në pension të forcave të armatosura të vendit të tij dhe premtoi se do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për autoritetet haitiane.

Policia i gjeti autorët e dyshuar të sulmit në një shtëpi pranë vendit të krimit, në periferi të kryeqytetit Port-au-Prince, të mërkurën, dhe pas disa orësh luftime, 17 prej tyre u arrestuan.

“Të huajt erdhën në vendin tonë për të vrarë presidentin”, citon The Guardian shefin e policisë, Charle Leon, në konferencën ku u bënë të ditura rezultatet e hetimit paraprak. Nga skuadra që ekzekutoi presidentin, tre janë vrarë, ndërsa tetë të tjerë janë ende në arrati.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët kryesojnë listën e të paditurve; Dëshira për të mësuar dhe zgjeruar njohuritë ZERO

Zyrtarët haitianë nuk kanë njoftuar ende motivet e vrasjes së presidentit, i cili qëkur mori detyrën në 2017, është përballur me protesta masive, së pari për shkak të akuzave për korrupsion dhe mënyrës se si e menaxhoi ekonominë dhe më pas për shkak të mënyrës si e pëqrendoi pushtetin në dorën e tij.

Presidenti i Haitit, 53 vjeç, u ekzekutua natën midis 6 dhe 7 korrikut në rezidencën e tij private. Gruaja e tij, Martine Marie Étienne Joseph, e cila mbeti e plagosur në sulm, është në gjendje kritike dhe po trajtohet në një spital në Miami. Motivet e ekzekutimit mbeten të paqarta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *