Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka bërë thirrje OKB-së që të miratojë një rezolutë për Ukrainën, e cila, sipas disa mediave, nuk përmend territoret e okupuara nga Rusia.
Sipas agjencive të lajmeve AFP dhe AP, të cilat citojnë burime diplomatike, propozimi kërkon një përfundim të shpejtë të konfliktit dhe një paqë të qëndrueshme në Ukrainë.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasilij Nebenzia, është shprehur i kënaqur me propozimin, por theksoi se ai nuk adreson “rrënjët” e konfliktit.
Rubio deklaroi se SHBA ka propozuar një rezolutë të thjeshtë dhe historike në OKB dhe bëri thirrje që të gjitha vendet anëtare ta mbështesin atë për të krijuar një rrugë drejt paqes.
E hëna shënon tre vjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, dhe pritet që atë ditë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të votojë për propozimin e SHBA-së dhe për një propozim alternativ nga vendet evropiane dhe Ukraina.
Propozimi evropiano-ukrainas kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave ruse nga Ukraina dhe përmend “pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Federata Ruse”. Ai gjithashtu bën thirrje për zbatimin e të gjitha rezolutave të mëparshme të OKB-së që janë miratuar si përgjigje ndaj agresionit ndaj Ukrainës.