Për javë të tëra tashmë studentë në Novi Sad kanë protestuar duke bllokuar një rrugëkalim të qytetit në kujtim të ngjarjes së stacionit të trenit.
Mediat opozitare serbe kanë raportuar një valë protestash të grupeve të ndryshme të interesit sidomos në Beograd, aq sa qeveria serbe është detyruar të kërkojë negociata.
Ngjarjet kanë fituar një jehonë ndërkombëtare, por është për t’u shënuar se portesta e opozitës serbe është injoruar në masë të madhe nga Perëndimi.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e ka cilësuar klimën aktuale si një përpjekje për destabilzim dhe inskenim të revolucionit me ngjyra.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, e ka cilësuar protestën si zbatim të një përvoje kroate të vitit 2009, që është përmbledhur në një libër më vete.
Sipas saj, ka një interes në Zagreb që Aleksandar Vuçiç të mos jetë më lideri i Serbisë dhe se madje pas protestave qëndrojnë shërbimet kroate.
Është befasuese të shohësh ngjashmërinë në argumente dhe alibi përkundër çdo proteste që cilësohet se ka një dorë të huaj, me akuzat që bëhen në Perëndim ndaj të djathtës ekstreme. Befasuese për faktin se pushteti vetëinkubohet për të mos pranuar se është shkaku i pakënaqësisë dhe se narrativa zyrtare dikur ezaurohet dhe tretet në litaninë e ritualit institucional pa kuptimin fillestar.