Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka marrë mesazhe mirënjohje nga protesta që po mbahet sot për Teatrin Kombëtar.
Një prej aktivistëve që foli në podiumin para protestës shprehu mirënjohje për mbështetjen nga ana e Kurtit, ndërkohë që protestuesit kanë duartrokitur.
77-vjeçari Elez Ndreu shkoi edhe më tej, ndërsa ftoi Albin Kurtin që të udhëheqë shqiptarët. “E mirëpresim Albin Kurtin të vijë të na udhëheqë se ne nuk kemi udhëheqje”, tha Ndreu.
REAGIMI I KURTIT PËR TEATRIN
Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional. Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.
Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.
I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë.