Sot është shfaqur sërish në media Baton Haxhiu, gazetari apologjet i kryeministrit të Shqipërisë. Me një shkrim të zakonshëm në stilin e tij, ku nuk spikat ndonjë ide, por kemi përherë ose sqarime, ose akuza, z. Haxhiu tradhëton stresin politik që vijon t’u krijojë të mëngjërve pranë tij Sali Berisha. Që duhet thënë se është edhe armiku perfekt për të ashtuquajturën E majta shqiptare.

Por duke lënë mënjanë akuzat e tij personale për Berishën, bie në sy ky pasazh që tejkalon edhe kufirin e poshtëm të shërbimit ndaj pushtetit, që gjithësesi do të ishte më mirë sesa bindja se po shkruhet e vërteta.

Ndërsa, “Zografi Bis”, asnjëherë nuk ka nënshkruar një marrëveshje kufiri detar me Greqinë, që është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Për dallim prej çdo Kryeministri tjetër shqiptar, idenë e bashkimit kombëtar nuk e ka vënë në shërbim të demagogjisë. Ai në fakt, ka vënë themelet e bashkimit kombëtar. Falë punës e përkushtimit të tij të palëkundur bashkimi kombëtarë nuk është më një “nëse”, por është një “kur” – është çështje kohe. Eshtë ai që ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës e anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare anë e kënd Botës, e edhe aty ku të tjerët nuk kanë guxuar – në Beograd e Moskë. Eshtë ai që ka ndërmarrë hapat e parë konkret për bashkimin e të ardhmes. Ka nisur traditën e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Dhe, në funksion të idesë së bashkimit kombëtar ka angazhuar në kabinetin e tij, në pozita zëvendësministrash e ministrash, personalitete me origjinë nga Kosova

Lexo po ashtu:  Macron, jepja Kosovës liberalizimin e vizave tani!

Mund të injorohej ky pasazh si mendim apo opinion i një invidivi, por duke qenë se ka shijen e një apologjie prej oborrtari, ai duhet konsideruar se riprodhon deliret e vetë pushtetit. Ai na sjell në vëmendje një informim nga Brenda për atë që z. Rama beson se ka bërë dhe përfaqëson për atë që quhet çështje kombëtare. Dhe këtu z. Haxhiu rendit ato që mendon se janë kontribute të Edi Ramës, për çka ai akuzohet qëllimisht nga Sali Berisha.

Aty brenda ka ekzagjerime dhe emfatizime të akteve dhe gjesteve pa rëndësi, aty theksohet pompa propagandistike e qeverisë së tanishme që nuk është asgjë më shumë sesa dhoma e grimit të spikerit të idealizmës së re kombëtare.

Çështja e Kosovës nuk ka lëvizur asnjë grimë nga më parë, më tej akoma, askush nuk mund ta heqë dyshimin për rolin e Edi Ramës në promovimin e idesë së ndarjes së Kosovës, për të mos injoruar këtu polarizimet në qëndrime publike që shkojnë nga Bashkimi Kombëtar që u shpall me festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë edhe nga Sali Berisha, te Minishengeni ku Kosova nuk u ftua.

Lexo po ashtu:  Faleminderit Edi Rama

Por të gjitha këto nuk kanë rëndësi për kalemin e drejtuar në argumente të tilla të rreme e që do të rrëzoheshin vetëm po të shohim shkallën e korrupsionit, të emigrimit dhe të padrejtësive sociale.

Ky pasazh përfaqëson humorin me të cilin liderë të rremë si Edi Rama do të donin të shkruhej historia e qeverisjes së tyre, sepse kapërcimi mbi simbolika gjestesh të shërben për të konvertuar thelbin e banditizmit në krye të vendit me legjendën e përbashkuesit. Zoti Rama ka edhe një arsye më shumë për ta kërkuar këtë gjë: ai ka dështuar thuajse në të gjitha drejtimet e politikës së jashtme, qoftë siç i shpalli ato në vitin 2013, qoftë edhe në raport me angazhimet që vetë ka ndërmarrë.

Deliri I këtij njeriu mëton të rehabilitohet në historiografi si arritje për mbarë vendin dhe këtu është rasti të kujtojmë se parada e z. Rama me figura të Pavarësisë dhe të Monarkisë, nuk është një celebrim në vetvete, por një rindërtim artificial “tradite” liberale, patriotike, mundësisht Përparimtare, vazhdim I të cilës ai pretendon se është.

Lexo po ashtu:  I ri dhe e re je por arsye ke

Imagjinoni që fëmijët tanë nesër të mësojnë mbi këto tekste të rreme, mbi këto psallme të tranzicionit nga shërbestarë të zellshëm, të cilëve një gjë duhet t’ua njohim si meritë: ata janë besnikë të traditës së mashtrimit në histori që zë fill qysh me Pavarësinë e dhuruar të Shqipërisë.

Kështu z. Haxhiu na sjell këtu vizionin e pushtetit për veten, besimin ndoshta që ai ushqen dhe himnet që i këndon vetes.

Droga, vjedhja, banditizmi, plaçkitja, pasurimi i këtyre nipërve dhe mbesave të opingës që bëri revolucion do të jetë një përmbledhje tekstesh apokrife, siç është apokrife historia e Krimit të regjimit që shkoi.

Kush e do këtë vend për atë që mendon se duhet të jetë, e ka për detyrë që në shtëpi, në rrugë, për çdo pyetje që fëmija ka të japë shpjegimin e duhur e të mos druhet se me fjalët hajdutë, kurvë, spiun, kriminel do të ngarkojë psikologjinë e tyre. Jo. E vërteta nuk të ngarkon. Mashtrimet si këto të Haxhiut nëpërkëmbin të vërtetën, e shthurin vlerën e saj për të hapur rrugën e një historie që përlavdon krimin.Skerdilajd Zaimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *