Korab Blakaj
Shtetet moderne mbrohen me informacione, me analiza, me paralajmërime të hershme dhe me arkitektura inteligjente që u paraprijnë çdo rreziku.
Në realitetin tonë, kërcënimet politike, ato ekonomike, kibernetike dhe të ndikimit të huaj janë bërë më të sofistikuara se kurrë.
Kosova nuk e ka luksin e mosveprimit,apo të veprimeve të plogështa!Mendoj se ajo e ka vetëm një zgjedhje: ndërtimin e një inteligjence shtetërore që depërton çdo institucion vendor dhe ndërkombëtar ku mund të prodhohet dëm për shtetin.
Kjo nuk do të thotë kontroll politik. As përgjuese mbi shoqërinë. Do të thotë siguri strategjike, sy hapur, dhe vëmendje e vigjilencë permanente atje ku për vite kanë vepruar interesat e errëta.
Pse është i domosdoshëm depërtimi inteligjent?
Sepse mosfuksionimi, kalbëzimi, rrënimi i shtetit nis nga brenda:
-nga një bord publik i kapur nga interesa klienteliste,
-nga një ndërmarrje e madhe që shpërndan tenderë për grupe të caktuara,
- nga një ministër i brishtë ndaj ndikimeve të huaja,
-nga një prokuror që e mbyll një rast kritik,
- nga një gjykatës që i hap derën krimit të organizuar,
-nga një media që përdoret si instrument propagande,
- nga një zyrtar diplomatik, ambasador, kosull apo atashe që bie pre e shantazhit,
-nga një komunë që krijon rreth vetes ekonomi joformale me ndikim të huaj,
- etj!
Gjithçka fillon nga informacioni i munguar.
Kosova jonë , për shumë vite ka pasur probleme serioze.
Ndër problemet më serioze numërojmë atë që institucionet e saj shpesh-herë mësojnë për rreziqe pasi ato të kenë ndodhur. Ky është simptom, shenj e një shteti të dobët.
Në të njejtën kohë është arsye qe edhe Kosova, ashtu si të gjitha shtetet që aspirojnë stabilitet, ashtu siç ato e kanë, ta këtë edhe ajo AGJENCINË E INTELIGJENCËS të integruar në çdo sektor kritik.
Ku duhet të jetë AKI?
AKI duhet të jetë në të gjitha pikat ku krijohet rreziku.Dhe këto janë të shumta:
1)Në bordet e të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, veqmas aty ku qarkullojnë qindra miliona euro .Aty lehtë formohen grupe të interesit, korrupsion i strukturuar dhe ushtrohet ndikim i jashtëm
2)Në ministri, sidomos në ato që administrojnë ekonominë, energjinë, buxhetin, sigurinë dhe politikën e jashtme.
3)Në prokurori dhe gjykata.Nevoja urgjente për t’i sinjalizuar rreziqet, ndërhyrjet, trysnitë, tentativat e infiltimeve.
4) Në prokurim publik, sepse aty fillon çdo rrënim financiar i shtetit.
5) Në komuna, ku ndikimet politike, ekonomike dhe madje të jashtme janë më të dukshme.
6) Në diplomaci, sepse përfaqësitë jashtë vendit janë porta e parë e infiltrimit të shërbimeve të huaja.
7)Në polici dhe ushtri, për të garantuar që struktura e sigurisë nuk bie në duar të grupeve kriminale apo agjenturave të huaja.
8)Në media, për të parandaluar manipulimin, fabrikimin e narrativave, lajmet e rreme,keqinformimin, dezinformimin propagandën e financuar.
9) brenda partive politike
10))etj,etj,etj.
-Pa depërtim inteligjent, institucionet tona do të mbeten të prekshme, të paqëndrueshme dhe të manipulueshme. Me depërtim të organizuar dhe të ligjshëm, ato do të bëhen më rezistente, më transparente dhe më profesionale.
Shtetet nga përvojat historike e kanë kuptuar prej kohësh që siguria fillon aty ku mbaron naiviteti. Kosova nuk mund të jetë përjashtim.
Ajo duhët të fillojë një „Momentum të ri të kulturës së sigurisë në Kosovë“.Momentum kur AKI duhet të jetë jo vetëm agjenci e shtetit, por organizmi i tij mbrojtës, pjesë e pandashme e çdo sektori ku krijohet rreziku, korrupsioni, infiltrimi apo dobësia strategjike.
Nëse duam siguri, stabilitet afatgjatë, zhvillim dhe jetë politike të pastër, atëherë depërtimi inteligjent , i ligjshëm, profesional dhe i mbikëqyrur është domosdoshmëri profesionale, nevojë e kohës dhe detyrë kombëtare!
