Poeti, publicisti dhe dramaturgu Andon Zako Çajupi, në më shumë se një shekull e gjysmë me krijimtarinë e tij letrare, ka zënë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare e ndaj, sot në kuadër të Muajit të Poezisë, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin përkujtimor “Çajupi në 155-vjetorin e lindjes”.

Aktiviteti me rastin e 155-vjetorit të këtij poeti kombëtar u hap nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili referoi kumtesën me temë: “Pse duhet të lexojmë Çajupin”. Ndër të tjera drejtori Koçi tha: “Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin? Në këtë kohë të modernitetit kur letërsia, kultura, tradita ecin me hapa të shpejtë duket sikur poetët tanë të traditës janë të distancuar e pra është pikërisht detyra jonë të bëjmë të mundur që këto figura të rëndësishme jo vetëm të mos harrohen por të lexohen edhe nga brezi i ri.

Në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga përfaqësuesit e një alter egoje të brendshme të lexuesve të vet (ku gjen jo vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike, sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë), meriton një vëmendje të veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një epoke”.Kryetari i shoqatës atdhetare “Çajupi”, z. Andon Pango, referoi kumtesën me titull: “Zagoria –vatra dhe tharmi frymëzues i atdhedashurisë në krijimtarinë e Çajupit”. Z. Pango, e filloi kumtesën duke thënë: “Veprat që ka lënë Çajupi janë si një thesar floriri që vetëm shkëlqejnë me kalimin e viteve.

Lexo po ashtu:  Lenovo Legion 7i dhe 7i ulin çmimet e laptopëve të lojërave

Thjeshtësia e vargut të Çajupit, bukuria shprehëse e gjuhës përmbajtja dhe stili i qartë janë mirëpritur nga lexuesi shqiptar i çdo kohe kjo vihet re edhe në një nga xhevahirët e poezisë shqiptare “Mëmëdheu”. Kanë kaluar 155 vjet nga lindja e tij dhe sot së bashku po flasim për freskinë dhe ndjeshmërinë që përcjell tek lexuesi jonë edhe ai i huaj krijimtaria letrare e këtij zagoriti të nderuar”. Më tej ai vijoi duke thënë se: “Në vitin 2013 në Sheper të Zagorisë iu dha titulli “Nderi i Kombit”, si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë Shqiptare i cili në fillim të shekullit të kaluar kontribuoi jo vetëm në edukimin e ndjenjave atdhetare por edhe në ndriçimin e shoqërisë shqiptare. Kjo dekoratë, në vitin 2016, i është dhuruar Muzeut Historik Kombëtar për tu bërë pjesë e fondit muzeor të tij”.Dr. Ermir Nika, pedagog dhe studiues letërsie referoi mbi temën: “Fryma kombëtare në krijimtarinë e Çajupit”. “Në këtë 155 vjetor të lindjes së tij përsëri Çajupi na mbledh të gjithëve bashkë, nisi në fjalën e tij z. Ermir Nika. “Na mbledh për të na kujtuar që ne pikëtakohemi në një koordinatë shumë të rëndësishme atë të Zagorisë. Ishte nje karakter i paepur, një personalitet që nuk dorëzohej kollaj dhe përfaqëson një ndër mendjet më të emancipuara të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek të XX. Çajupi nuk mbeti vetëm romanik, ai nuk mbeti vetëm klasicist ai solli realizmin në letërsinë shqipe solli natyrën, solli njeriun ai vizatoi Shqipërinë e vërtetë”, përfundoi ai.Z. Spiro Nika, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, tek fjala e mbajtur prej tij e vuri theksin tek gjithë ndikimi që kishte ambienti ku lindi dhe u rrit Çajupi si shtëpia, shkollat, natyra, kultura në talentin dhe veprën e tij.

Lexo po ashtu:  Çmenduri në Britani, një USB që të mbron nga rreziqet e teknologjisë 5G

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *