Ambasadorët e BE në Tiranë duhet të jenë ndjerë në siklet kur kanë njoftuar ministritë e tyre se opozita shqiptare pritet të mbajë një protestë më 6 dhjetor, kundër qeverisë mikëpritëse të samitit me Ballkanin Perëndimor.

Duke qenë se protesta të tilla, të organizuara nga forca të rëndësishme politike paralelisht me evente të mëdha ndërkombëtare, janë të pazakonta, diplomatëve në Tiranë do të duhej që njoftimin ta shoqëronin me një tekst goxha shpjegues. Pikërisht këtu qëndron edhe ngërçi i tyre. Protesta e 6 dhjetorit, e thirrur nga opozita shqiptare, nuk është një ngjarje e shkëputur për t’u dëshmuar para liderëve europianë, por një përpjekje për të marrë vëmendjen e tyre pasi për vite me radhë ka ndeshur me heshtjen e pamerituar të përfaqësive të tyre në Tiranë. Madje, në jo pak raste, me njanshmërinë e tepruar në favor të qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Opozita ka zgjedhur qëllimisht, që pikërisht më 6 dhjetor, kur kamerat dhe vëmendja e opinionit europian për disa orë do të zhvendosen në Tiranë, shqetësimet dhe revoltën e saj ta adresojë në nivelin më të lartë. Më shumë se një protestë kundër regjimit këtu, manifestimi opozitar synon të jetë një këmbanë alarmi ndaj gjithçkaje që perëndimi ka anashkaluar mbi demokracinë në Shqipëri në emër të të ashtuqajturit stabilitet.

Lexo po ashtu:  Një fillim i përgjysmuar i vitit akademik

Liderët europianë do të duhet të përballen kështu me sytë e tyre me realitetin e vërtetë të vendit, ku do të mblidhen për këtë samit të rëndësishëm. Ata do të jenë mysafirë në një vend, të cilin organizatat e vendeve të tyre e kanë përcaktuar si një demokraci hibride, me mungesa të theksuara të lirive themelore, të sëmurë nga korrupsioni dhe emigracioni masiv. Mikëpritësi i tyre, një njeri që ka 10 vjet në pushtet, ka kontroll ekskluziv mbi qeverinë dhe Kuvendin. Ai ka në dorë 100 përqind pushtetin lokal, komandon ekonominë e vendit, mediat kryesore dhe tërheq në prapaskenë fijet e drejtësisë së re.

Në 6 dhjetor, opozita duhet të risjellë më fort në vëmendje, raportet e vëtë shteteve që zbarkojnë në Tiranë, të cilat flasin për korrupsionin dhe krimin e organizuar që ka depërtuar në nivelet më të larta të qeverisjes. Përpara dhjetra mediave europiane, është rasti për të kthyer kamerat tek problemet reale nga të cilat vuan sot demokracia shqiptare. Se si për hir të stabilitetit janë injoruar vjedhjet e zgjedhjeve, ndryshimet e njëanshme të rregullave të lojës, grabitja e pasurisë publike nëpërmjet tenderave pa garë (madje në kundërshtim edhe me sugjerimet e vetë BE), përdorimi i shtetit në fushata elektorale, mbyllja e dosjeve të krimit e korrupsionit në nivele të larta. Se si lehtësia për të injoruar funksionim normal të demokracisë, ka prodhuar në Shqipëri një pushtet autokratik që sot guxon të sfidojë edhe vetë BE me amnistinë fiskale apo ligje që shkelin MSA si në rastin e portit të Durrësit.

Lexo po ashtu:  Idetë e Naum Veqilharxhit, për këndelljen e gjuhës shqipe

Dalja e opozitës, përveç arsyeve më lart, është jetike për të dëshmuar se pushteti në Shqipëri nuk mund ta eleminojë atë politikisht. Ambasadorët në relacionet e tyre, janë të detyruar të shpjegojnë atë për të cilën kanë heshtur deri më sot, e më keq akoma e kanë deformuar, duke shmangur një realitet të pamohueshëm për vetë shqiptarët, se cila është opozita e vërtetë në Shqipëri. Se ajo nuk mund të emërohet nga kryeministri, të çertifikohet nga gjykata dhe të noterizohet nga ambasadat. Dhe kur emisarët europianë në Tiranë bëjnë sikur nuk e shohin këtë, liderëve të tyre u duhet treguar e vërteta, më mirë se në çdo rast, më 6 dhjetor.

Kopaçet patetike me kanune e tradita apo përrallat me rusë e rubla, nuk kanë më treg ku të shiten. Nuk është opozita që po na turpëron në sytë e botës, por një regjim që na ka nxirë në çdo raport zyrtar e në çdo raportim mediatik sistematikisht në 5 vitet e fundit. Nëse një pjesë e ambasadorëve këtu, kanë pranuar në heshtje të bëjnë fasadën e qeverisë dhe të quajnë opozitë atë të cilën e përcaktoi Taulant Balla dy ditë më parë, opozita e vërtetë ka rastin më të mirë për t’u treguar shefave të tyre një tjetër realitet. Të cilin, përfaqësuesit e tyre në Tiranë do të duhet ta shpjegojnë ashtu siç është. Takimet me “opozitën zyrtare” nuk e shmangin dot 6 dhjetorin. Atë e ka thirrur opozita reale.

Lexo po ashtu:  Aq sa e perkrah Albini neootomanizmin dhe islamin politik dhe aq sa ka Ai averzion ndaj vlerave evropiane dhe kristjane, aq kam unë që e kam emrin Martin Berishaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *